Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi të mërkurën qytetin e Përmetit, me rastin e hapjes zyrtare të sezonit turistik, ku u prit nga kryetari i Bashkisë, Niko Shupuli.
Kreu i shtetit i dha titullin “Mjeshtër i Madh” sportistit dhe trajnerit të spikatur përmetar Ethem Kaso.
“Është një kënaqësi e veçantë që të jem me ju, më 9 Maj dhe t’ju uroj gëzuar Ditën e Evropës! Shpresoj që brenda qershorit të kemi një vendim pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pasi besoj se Shqipëria e meriton. Qytetarët e Shqipërisë e meritojnë, por sidomos përmetarët janë ndër të parët që e meritojnë për shkak të qytetarisë së jashtëzakonshme që kanë demonstruar në të gjitha kohët”, deklaroi Meta.
“Qyteti juaj është i bukur në çdo kohë, por në pranverë Përmeti është një destinacion i jashtëzakonshëm dhe mjaft frymëzues për të gjithë dhe e di që këtu ka vështirësi për të gjetur dhoma e kapacitete akomoduese për turistët për shkak të rritjes së fluksit të tyre në mënyrë të jashtëzakonshme. Dhe kjo është një gjë mjaft pozitive”, shtoi Presidenti.
Top Channel