Balla për prokurorinë: Më shumë shpejtësi dhe peshq në rrjetën e drejtësisë

10/05/2018 13:40

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda por në të gjitha prokuroritë duhet më shumë peshq në rrjetën e drejtësisë, është shprehur Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së.

Si një nga deputetët e reformës në drejtësi, Balla u pyet nga gazetarët nëse kryeprokurorja Arta Marku ka të drejtë të emërojë dhe shkarkojë, pasi është në pozicionin e përkohshëm, por Balla citoi vetëm deklaratën e një dite më parë të ambasadorit amerikan Donald Lu.

“Besoj më së shumti në monitorimin e këtij procesi, zërin e pakontestueshëm të partnerëve tanë ndërkombëtarë, pa të cilët reforma në drejtësi nuk do të kishte qenë e mundur, dhe besoj që gjithë këtij diskutimi i cili dje kaloi deri në çjerrje të Lulit, Monikës e Saliut, kapakun këtij diskutimi ia vuri një mik i Shqipërisë siç është ambasadori amerikan. Të jeni të sigurtë që dhe unë ndaj të njëjtin vlerësim si ambasadori amerikan. Në prokurorinë e krimeve të rënda po në të gjitha prokuroritë duhet më shumë shpejtësi dhe peshq në rrjetën e drejtësisë”, tha Balla.

Ndërsa situatën e sotme në Parlament të krijuar nga opozita, Balla tha se ka lidhje me ekstradimin e Izet Haxhisë.

“Berisha nuk duhet të përdorë grupin parlamentar të PD për të tensionuar më së koti sallën e Kuvendit. Agravimi i sotëm dhe gjuha deri në ikje të zërit të Sali Berishës ka lidhje dhe me ekstradimin tërësisht ligjor. Në fund të fundit të gjithë ata të dënuar për krime në Shqipëri kudo qofshin duhen arrestuar dhe të bëjnë dënimin në Shqipëri, dhe ku është rasti i Izet Haxhia që është një person që nga gjyqësori shqiptar është dënuar me një vendim me 25 vite burg dhe zbatim të një procedure që mediat e kanë bër me dije”, tha Balla.

Top Channel