Si u prit vendimi i Trumpit në Parlamentin iranian?

09/05/2018 10:24

Ndërkohë që e gjithë bota priste me ankth vendimin e presidentit Donald Trump mbi paktin bërthamor me Iranin, politikanët e Republikës Islamike ishin mbledhur në një seancë urgjente parlamentare për të diskutuar mbi hapat e mëtejshëm në rastin e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga akordi i nënshkruar në vitin 2015.

Menjëherë pasi Trump njoftoi tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore, politikanët iranianë, deputetë e ministra, nisën të thërrisnin në kor “vdekje Amerikës” dhe dogjën flamuj amerikanë në Parlamentin e vendit.

Protesta e tensionueshme erdhi pasi kreu i Parlamentit, Ali Larijani u tall me presidentin amerikan, duke thënë: Trump nuk ka kapacitetet mendore për t’u përballur me këtë çështje.

Ndërkohë, një ligjvënës i shquar iranian paralajmëroi se ministrat ishin përgatitur të rrisnin shpenzimet për programin e raketave balistike të vendit.

Kreu i komitetit parlamentar për Sigurinë Kombëtare dhe Politikat e Jashtme në Iran, Alaeddin Boroujerdi, pas tërheqjes së Trumpit nga traktati bërthamor deklaroi se “pavarësisht vendimit të Amerikës, programi iranian i raketave nuk ka për të ndryshuar”.

Pakti i vitit 2015, i njohur zyrtarisht si Plani i përbashkët gjithëpërfshirës i veprimit (JCPOA), mori vite të tëra mundimesh për t’u hartuar dhe detyroi vendin e Lindjes së Mesme të binte dakord mbi reduktimin e stoqeve të uraniumit të pasuruar me 98 për qind.

Trumpit, presidenti iranian Hassan Rouhani iu kundërpërgjigj menjëherë me një konferencë sfiduese për shtyp në Teheran. “Kam urdhëruar Organizatën për Energjinë Bërthamore të Iranit të përgatitet për nisjen e pasurimit të uraniumit në nivele industriale. Ne do të presim vetëm pak javë dhe të flasim me aleatët dhe miqtë tanë, por edhe ata që u angazhuan në paktin JCPOA. Gjithçka varet nga interesat tona kombëtare”.

Tërheqja e SHBA-ve nga traktati, që u ndërmjetësua dhe nënshkrua nga 7 palë në vitin 2015, i vendos të gjithë përpara një “terreni të paeksploruar”.

Britania, Franca dhe Gjermania shprehën shqetësim dhe keqardhje për vendimin e presidentit amerikan, por u zotuan se do të vazhdojnë t’i përmbahen marrëveshjes. Edhe presidenti Rouhani deklaroi se vendi i tij mund t’i qëndronte marrëveshjes, edhe pa Shtetet e Bashkuara pjesë të saj.

FOTO GALERI
3/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA