Rama e Ruçi i përgjigjen Holandës. Kryeparlamentari: Shqiptarët e gjetën hashashin atje

09/05/2018 15:09

Në Ditën e Europës, dy përfaqësuesit më të lartë të mazhorancës, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit iu përgjigjën Holandës, një nga vendet e ashtuquajtura skeptike për hapjen e negociatave me Shqipërisë, që të hënën dërgoi një delegacion faktmbledhës deputetësh.

I pari që ironizoi ishte Edi Rama.

“Më vjen për të qeshur kur vijnë delegacione për të mbledhur fakte, më takojnë mua dhe ca deputetë dhe mikun tim të shtrenjtë me të cilin na bashkon një rrugë e ndryshme; dashuria për Holandën, Lulzim Bashën dhe mbledhin fakte. Çfarë lloj faktesh mund të mblidhen në një gjysmë dite, ndërkohë që Komisioni Europian ka një ushtri ekspertësh që hanë fakte, pinë fake dhe dëgjojnë vetëm fakte?!”, deklaroi Kryeministri.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Gramoz Ruçi, që u shfaq në një bashkëbisedim me gazetarët, më shumë unik se sa të rrallë.

“Nëse është një njollë e zezë e hashashit në Shqipëri, fara vjen nga Holanda, teknologjia vjen nga holanda, tregu nga Holanda se është legalizuar. Unë nuk akuzoj Holandën, por pres që ajo të vlerësojë përpjekjet tona”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Kryeparlamentari i dërgoi gjithashtu një mesazh Europës në ditën e saj, në lidhje me shqetësimet e shprehura, për atë që disa vende anëtare e përkufizojnë si “kriminaliteti shqiptar”.

“Mua mund të më thonë edhe nostalgjik, por ne nuk kishim drogë, as korrupsion e as prostitucion. Këto fenomene nuk i çuan shqiptarët në Europë, i gjetën mes europianëve”, shtoi ai.

Ruçi vlerësoi dorëzimin e mandatit nga Saimir Tahiri, duke nënvizuar se në 27 vjet shumë deputetë janë akuzuar majtas e djathtas, por askush më parë, sipas kryeparlamentarit nuk e kishte lënë mandatin.

“I famshmi Churchill thoshte që politika nuk ka moral, por brenda imoralitetit ka një moral, e në rastin konkret edhe dorëheqja e fundit e zotit Tahiri tregon që vazhdon të ngelet ky moral brenda imoralitetit”, deklaroi ai.

Sipas Kryetarit të Kuvendit, Shqipëria nuk do të marrë një “Jo” në qershor nga Këshilli Europian, por maksimumi një shtyrje për në fund të vitit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA