Katër të burgosur shqiptarë në Greqi, u arratisën nga automjeti që po i dërgonte në një anije, me destinacion burgun Alikarnasos në Hania.
Sipas burimeve policore, katër të arratisurit ishin pjesë e një grupi prej 11 të dënuarish, të gjithë shqiptarë, që po shoqëroheshin në anije.
Në rrethana që ende nuk dihen, gardianët lanë hapur derën e furgonit, moment ky që u shfrytëzua nga të dënuarit, të cilët u shpërndanë me shpejtësi nëpër rrugicat e portit të Pireut, të ndjekur nga policët grekë.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë së portit, u bë i mundur arrestimi i dy prej shqiptarëve, ndërsa dy të tjerët mbeten ende në arrati. Policia bëri të ditur se do të vazhdojë kontrollet në zonë, për të bërë të mundur arrestimin e dy personave që janë ende në arrati.
Top Channel ka mësuar se bëhet fjalë për shtetasin Xhuliano Halili, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një fëmije 4 vjeç, së bashku me të babain e tij. Ky krim u vërtetua se ishte porositur prej rivalit grek të viktimës, Vasilis Varelas, për larje hesapesh në çështje droge.
Krahas Halilit, u arratisën fillimisht edhe tre shtetasit Alfons Doçi, Robert Xhimaj dhe Petris Luçi, të dënuar me 25 vjet burg për trafik droge.
Top Channel