Siguria ushqimore/ Data e skadencës së produkteve nuk zgjat as sa boja e votimit

08/05/2018 20:31

Menjëherë pas denoncimit nga ana e emisionit Fiks Fare mbi cilësinë e miellit dhe grurin që përdorim në vendin tonë që është ushqim për kafshët, kanë reaguar vetë qytetarët. Ata kanë dërguar pranë redaksisë së emisionit video ku denoncohet me figure dhe audio siguria ushqimore. Datat e kadencave të mallrave fshihen lehtësisht duke qenë kështu mjaft të manipulueshme edhe aspak të besueshme.

Çdo gjë bëhet në sy të gjithëve madje edhe të organeve përkatëse të cilat nuk marrin masa. Nga Tirana një qytetar denoncon mënyrën e transportit të bukës nga furra tek dyqanet. Në pamje dukët qartë furgoni që nuk plotëson as më të voglin kusht higjeno sanitar, ku në arka janë vendosur direkt bukët e papaketuara dhe të hedhura në furgon. Transportuesi nuk mban të veshur dorashka as edhe përparëse.

Kurse në një dyqan të shitjes së miellit në periferi të kryeqytetit, në një pjesë të mirë të dyqanit mbahet miell i skaduar . Sasia e miellit me datë kadence në 18 prill 2018 ishte ende në shitje. Në video qytetari pasi ka parë datën e skadencës i ka kërkuar shitësit që t’i japë një thes mielli të tillë, por ai është justifikuar që thasët janë të çarë dhe mund t’i bëhet pisë makina. Në asnjë rast gjatë gjithë videos shitësi nuk e pranon që mielli që ka në dyqan është i skaduar, por atë ua jep banorëve të zonës.

Pas nuk mbetet as kushtet në të cilat shitet bulmeti apo pastërmaja. Në një furgon të parkuar në një nga rrugët e Tiranës shitet pa asnjë problem në temperaturë ambienti gjizë , gjalpë madje edhe pastërma.

Por kjo mënyrë e shitjes ambulatore pa kontroll ka lulëzuar në të gjithë vendin. Në Fiks Fare u transmetua edhe një video tjetër nga Shkodra e shitjes së peshkut në mes të rrugës në kushte skandaloze.

Kulmi arrihet me qumështin e fëmijëve. Dy prindër të irrituar nga mungesa e kontrollit nga ana e autoriteteve ngrenë zërin për prindërit e tjerë që të jenë të kujdesshëm. Në kutinë e qumështit për fëmijë blerë në një dyqan ata lehtësisht me një pambuk me ujë fshijnë datën e skadencës, ndërkohë që kur e krahasojnë me të njëjtën kuti blerë jashtë shtetit ajo nuk fshihet. Prindërit e kanë nisur këtë video me një apel. “Ju lutem duhet të tërheq vëmendjen për të gjithë prindërit, që të mos bëhen pre e fitimeve të atyre mashtruesve që nuk mendojnë fare për shëndetin e fëmijëve të vegjël. Kontrolloni datat e skadencave që të mos ju japin fëmijëve të tyre, mbeturinat e botës. Ka edhe mallra cilësore, por që duhen kontrolluar”shkruajnë ata.

Lidhur nga kjo ngjarje Fiks Fare bëri një investigim në disa supermakete në kryeqytet, ku disa produkteve u fshihej lehtësisht data e skadencës. Kur gazetarët pyesnin kasieret se nëse kjo gjë ishte normale, ato përgjigjeshin se kjo gjë është normale, pasi produktet mund të jenë fërkuar me njëra- tjetrën. Në asnjë rast, askujt fshirja e datës së skadencës nuk i bëri përshtypje.

Fshirja e datës së skadencës me lehtësi, mund të jetë një mënyrë abuzimi nga ana e tregtarëve duke i fshirë produktin datë kur skadon dhe mbi të të stampojnë një datë të re.

Top Channel