Rishfaqet antraksi; Zbulohen dhe groposën 20 lopë të infektuara

08/05/2018 19:40

Antraksi, sëmundja e rrezikshme që prek kafshët e mëdha si lopët nuk është zhdukur ende në Shqipëri. Në një periudhë prej disa muajsh këtë vit janë regjistruar 23 raste të kafshëve të prekura.

Pas verifikimit kafshët janë groposur për të ndalur përhapjen e sëmundjes. Rastet e raportuara këtë vit flasin për bagëti që kanë shfaqur simptomat e plasjes që në muajin Janar.

Burime në Ministrinë e Bujqësisë i dhanë Top Channel të dhëna që tregojnë se deri në muajin Maj, janë trajtuar me sëmundjen e plasjes, 23 raste të cilat janë groposur. Kjo pasqyrë, tregon numrin e matrikullimit datën dhe qarkun në të cilin kafshët që janë prekur dhe asgjësuar. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë në zonat Vlorës, Tepelenës dhe Dibrës.

Sipas ligjit, në momentin që vërehen simptomat tek kafshët, çdo rast është i detyrueshëm të raportohet tek autoritetet. Ministria e Bujqësisë, nuk i komentoi këto të dhëna dhe thotë se aktualisht, shërbimi veterinar ka nisur fushatën e zakonshme të vaksinimit dhe se çdo rast i trajtuar është bërë sipas protokollit veterinar.

Zakonisht antraksi, shfaqet në muajt e pranverës dhe arrin pikën më agresive të saj në fund të vere. Top Channel bisedoi me ekspertë të fushës të cilët thonë se shfaqja e kësaj sëmundjeje çuditërisht më herët do të vërë në vështirësi izolimin e saj në muajt korrik dhe gusht kur ajo paraqet rrezikshmërinë më të lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA