Parku Kombëtar i Karavastasë në Divjakë po bëhet me një kullë të lartë betoni prej 36 metrash.

Kjo zonë, laguna dhe pylli në vitin 1995 është shpallur Park Kombëtar dhe aktualisht është në zonat e mbrojtura edhe nga konventat ndërkombëtare.

Megjithatë Bashkia e Divjakës po zbaton një projekt me një vlerë prej 99.5 milionë lekësh ose 623 mijë Euro.

Në qendër të projektit, ose ajo që bie më shume në sy është një kullë betoni.
Top Channel pyeti agjensinë e zonave të mbrojtura dhe përgjigjia është se projekti është miratuar prej tyre.

Por ekologjistët kishin kundërshti për projektin, ata edhe protestuan.

“Të bëhen ndërtime, benotizime, janë të papranueshme. Ndërhyrjet që bëhen për ndërtimin e kullave brenda parkut janë krejtësisht të papranueshme, por nuk janë vetëm këto sepse parku rrezikohet edhe nga ndotja, ju e shihni që bëhen aksione të mëdha, jo vetëm ndotje nga plastika por edhe e ujërave të zeza,” shprehet Nihat Dragoti, ekologjist.

Sipas projektuesve kjo kullë do të ketë 3 funksione, në ndihmë të policisë kufitare, në ndihmë të zjarrëfikësve dhe për turistët kuriozë që duan të shikojnë natyrën dhe zogjtë e lagunës.

Top Channel