Partitë politike në Itali nuk arritën dot marrëveshjen për të pasur një qeveri pas zgjedhjeve të marsit. Për të zhbllokuar krizën, presidenti Mattarella propozoi një qeveri të përkohshme, por që nuk u pranua nga partitë politike dhe pritet që vendi të shkojë me shumë gjasë në zgjedhje.
Davide Maria de Luca, gazetar dhe analist në Itali, ka komentuar për Top Channel gjithçka po ndodh në skenën politike italiane.
TCH: “Lega Nord” dhe “Lëvizja 5 yjet” janë kundër një qeverie të përkohshme, të propozuar nga presidenti Sergio Mattarella, ndërsa favorizojnë zgjedhjet më 22 korrik. Cila nga këto opsione, në këndvështrimin tuaj, është ai që i shërben më shumë Italisë në këtë moment?
Davide Maria de Luca, gazetar analist: Nuk mendoj se ka një përgjigje të qartë për këtë pyetje. Nga njëra anë, është e leverdisshme që ka një qeveri teknike. Që të ketë një qeveri, edhe pse neutrale apo teknike, siç tha dje presidenti Mattarella, sepse brenda dhjetorit të këtij viti vendi ka nevojë për një qeveri dhe fuqinë e saj për të shmangur rritjen eTVSH-së dhe akcizës, që është parashikuar për vitin 2019. Është një rritje prej 12.5 miliardë eurosh që do të ketë efekte recesive, që do të japin efekte mbi konsumin. TVSH-ja është taksa që godet njerëzit më të varfër. Ndaj është e rëndësishme që të ketë një qeveri, në funksionalitet të plotë, e cila duhet të bëjë zgjedhje politike që këto 12.5 miliardët t’i gjejë në vend tjetër dhe të shmangë kështu këtë rritje automatike të taksave. Por, duke bërë këtë zgjedhje, në njëfarë mënyrë tradhtohet zgjedhja e bërë nga pjesa më e madhe e italianëve. Nëqoftëse “Lega Nord” dhe “Lëvizja 5 yjet” zgjedhin të shkojnë drejt zgjedhjeve të reja, kjo do të thotë se pjesa më e madhe, ose më mirë më shumë se gjysma e italianëve, nuk duan një qeveri teknike. E pavarësisht këtij qëndrimi, propozimi për një qeveri teknike do të thellojë edhe më shumë hendekun mes palëve, mes zgjedhësve italianë dhe institucioneve. E kjo sigurisht që nuk i bën mirë vendit.
TCH: Pse ka qenë kaq e vështirë për të gjetur një marrëveshje për formimin e qeverisë së re?
Davide Maria de Luca, gazetar analist: Problemi është që ka pasur përplasje të vjetra mes forcave politike. Siç e dini, në zgjedhjet e italianëve asnjë parti nuk arriti të fitojë shumicën e votave. Partitë që arritën të fitojnë më shumë janë “Lega Nord” dhe “5 yjet”, e sigurisht që këto të dyja duhej të bëheshin bashkë për të formuar një qeveri. Problemi është se, asnjë prej tyre nuk donte që të ishte në pakicë për qeverinë e ardhshme. Kështu, “Lega” pranoi të qeveriste vendin me “5 yjet”, por vetëm nëse koalicioni përfshinte edhe partinë e Berlusconit, “Forza Italia”-n, në mënyre që koalicioni i partive të qendrës së djathtë të mund të ishte më i fortë. Kështu, për shembull, mund të kishte zgjedhur edhe presidentin e Këshillit të Ministrave. “5 yjet” sigurisht që kishin qëndrime të kundërta. E vetme, “5 yjet” është më e fortë sesa “Lega”, ndaj kreu i “5 yjeve”, Luigi di Maio i kërkoi “Legës” të bëheshin bashkë aleatë, por pa pjesën tjetër të qendrës së djathtë. E nga kjo situatë nuk ka asnjë rrugëdalje. Dy partitë kryesore nuk pranojnë të jenë në pakicë, kështu që nuk mund të shkohet në asnjë anë. Ndaj e kemi gjetur veten në këtë situatë këto ditë.
Top Channel