Konflikti për ilaçet e rimbursueshme, në farmaci ka mungesa

08/05/2018 15:13

Ndonëse para pak ditësh hyri në fuqi lista me barna e rimbursueshme 9 prej tyre disa prej të cilave alternativa të vetme dhe të para mungojnë nëpër farmaci.

Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Eduart Ahmetaj tha se janë duke u lidhur kontratat me importuesit dhe brenda dy javësh kjo situatë do të zgjidhet.

“Shpresoj shumë të të mbyllet brenda afatit dhe afati është dy javë. Shpresoj që mund të mbyllet edhe para afatit. Fondi është duke punuar dhe i angazhuar që kjo të mbarojë sa më parë”, deklaroi Ahmetaj.

Udhëzimet e Fondit për listën e re të barnave të rimbursueshme kanë kufizuar përdorimin e tyre dhe ndërprejen e trajtimit për disa pacientë, siç ishte rasti i 300 pacientëve me sëmundje reumatologjike, apo dermatologjike, apo të tjerë me probleme kardiake. Por zoti Ahmetaj thotë se po rishikohen.

“Edhe për raste të tjera jemi duke marrë shqetësimet dhe jemi duke i pasqyruar ato shqetësime në udhëzimet tona, duke i zgjidhur në përputhje me objektivin tonë që çdo qytetar, që ka një diagnozë që e përfshin lista e barnave të rimbursueshme t’i mundësohet mjekimi përkatës në përputhje me këtë listë dhe udhëzimet e dala në zbatim të saj”, thotë kreu i Fondit.

I pyetur nga Top Channel në lidhje me futjen e listës së barnave të rimbursueshme pa lidhur më parë kontratën, e cila sipas farmacistëve ishte e njëanshme, drejtori Ahmetaj e mohoi.

“Unë jam i hapur dhe pres përfaqësinë e tyre dhe këdo tjetër për çdo shqetësim që kanë. Atyre u është kërkuar mendimi para se të lidheshin kontratat. Janë njoftuar para se Këshilli Administrativ i Fondit të vendoste të miratonte kushtet e kontratave”, sqaron ai.

Në lidhje me çmimet e ulura për disa barna, koston për stokun e medikamenteve do ta paguajnë vetë farmacitë. Një ditë më parë Urdhri i Farmacisteve kërcënoi me një padi Fondin për shkak se kishte lidhur kontrata të njëanshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA