Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut, Eric Schneiderman, njeriu që ngriti akuzat e abuzimit seksual me femrat mbi producentin e njohur të “Hollywood”-it, Harvey Weinstein, dha dorëheqjen të hënën në mbrëmje, pas një artikulli të botuar në revistën “New Yorker”, ku 4 gra e akuzonin atë vet për dhunë fizike.
Guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo i kërkoi Schneidermanit të jepte dorëheqjen, vetëm disa orë pas botimit të artikullit. Vet prokurori reagoi përmes një deklarate, duke pohuar se akuzat e lëshuara drejt tij janë tepër të rënda, ndaj dhe i kundërshton me forcë.
“Ato nuk janë të lidhura me sjelljen time profesionale, apo me veprimet e zyrës, por nuk do të më lejojnë të kryej funksionet e mia në këto kohë kritike. Për këtë arsye jap dorëheqjen, që hyn në fuqi më 8 maj, në përfundim të orarit zyrtar”, sqarohet në deklaratë.
Cuomo u tregua i rreptë me komentet e tij pas episodit. “Askush nuk është mbi ligjin, duke përfshirë zyrtarin e lartë ligjor të Nju Jorkut”, tha guvernatori .
“Unë nuk besoj se është e mundur që Eric Schneiderman të vazhdojë të shërbejë si prokuror i Përgjithshëm”, shtoi ai, duke theksuar madje se do t’i kërkojë një prokurori të hetojë akuzat.
Dy gra, Michelle Manning Barish dhe Tanya Selvaratnam, i thanë “The New Yorker” se Schneiderman i kishte goditur vazhdimisht, shpesh pasi kishte pirë shumë dhe kishte kërcënuar t’i vriste nëse e linin.
Top Channel