Grabitet sekreti hetimor, çanta me materialet e Prokurorisë iu rrëmbyen korrierit

08/05/2018 19:43

Korrespodenca sekrete e Prokurorisë së Durrësit e sapo tërhequr nga posta është grabitur pak metra larg organit të akuzës, pas një sulmi nga persona të paidentifikuar.

Ngjarja e paprecedente ka ndodhur rreth orës 10:30 ne lagjen 11 të qytetit bregdetar. Dy persona të pa armatosur dhe të maskuar me kapele i kanë rrëmbyer nga dora korrierit të Prokurorisë një dosje me 6 akte hetimore, përmbajtja e të cilave nuk bëhet publike nga autoritetet.

Teksa po ecte në këmbë, Ilir Kapxhiu është sulmuar në rrugicën pas filialit qendror të Postës, që gjendet pak metra larg Prokurorisë sapo ai ka tërhequr dokumentet. Top Channel pyeti prokurorin e medias pranë Prokurorisë së Durrësit nëse bëhet fjalë për posten sekrete ku dhe u konfirmua se janë vjedhur akte hetimore të rikuperueshme dhe jo akte të cilat klasifikohen si sekret shtetëror.

“Lidhur me rastin ju informojmë që kjo ngjarje ka ndodhur sot rreth orës 10:30, ku punonjësi i postës së Prokurorisë Durrës ka qenë objekt i sulmit nga persona të pa identifikuar.

Po kryhen veprimet hetimore me përparësi për verifikimet e rastit, në bashkëpunim me Drejtorin e Policisë të Qarkut Durrës.

Duam të theksojmë se nga përmbajtja e akteve të marra nuk cenohet hetimi për ndonjë nga çështjet dhe nuk ka patur materiale të cilat klasifikohen si Sekret Shtetëror. Për momentin në mirëkuptimin tuaj për shkak të hetimit që po kryhet dhe sekretit te tij nuk mund të japim më shumë të dhëna”, mbyllet reagimi për Top Channel.

Sipas burimeve, nga verifikimi i deritanishëm rezulton se janë rrëmbyer akte hetimore të postuara nga policia shkencore në Tiranë dhe nga mjekësia ligjore për çështje që ndodhen nën hetim në Durrës.

Nuk jepen detaje se me cilat dosje konkrete lidhen ekspertizat e përcjella nga kryeqyteti përmes postës. Por burimet hedhin poshtë në mënyrë të prerë dyshimet se dokumentet e rrëmbyera mund të kenë lidhje me komunikimin sekret që lidhet me raportimin ditor të shërbimit sekret, raportet e vëzhgimit apo dokumente të përgjimeve nga organi qendror i akuzës.

Kjo kategori dokumentacioni i klasifikuar si sekret nuk përcillet përmes postës, shpjegoi një burim. Megjithë këmbënguljen e Top Channel, Prokuroria nuk ka dalë ende në një konkluzion për dokumentet e vjedhura dhe dëmin e shkaktuar në themelin e hetimeve.

Top Channel