Ura e Babrrusë lidh Tiranën me Kamzën. E ndërtuar 25 vjet më parë ajo përdorej për makina të tonazhit të rëndë, ndërsa sot me shtimin e popullsisë urën e përdorin dhjetëra mijëra njerëz dhe mjete motorike të llojeve të ndryshme.
Që në ndërtim në vitet 90 ura u konceptua vetëm me një kalim. Në atë kohë kishte pak banorë në dy anët e lumit, por tani vetëm në Paskuqan janë 60 mijë banorë.
Mbi këtë urë kalojnë 500 automjete çdo një orë. Së fundmi zgjidhje është gjetur vendosja e një semafori, por kjo ndodhi dy muaj më parë dhe siç kujtojnë banorët e zonës, mbi këtë urë shoferët janë përleshur për të fituar të drejtën për të kaluar.
“Janë vra njerëzit për urën. Shiko sa ngushte është. U thuaj atyre shefave që mos e merrni lekun kot, por punoni. Ata veç marrin ato leke edhe ikin”, thotë një banor i moshuar i zonës.
Ura e amortizuar lidh lagjen Allias të Tiranes me njësinë administrative Paskuqan me një popullsi gjithmonë në rritje.
“Ke frikë të kalosh, urat lëkundet”, thotë një vajzë. Trotuaret janë të ngushta dhe njerëzit detyrohen te ecin ne rresht.
Nga bashkia e Kamzës thonë se kanë një projekt për zgjerimin edhe me një korsi shtesë të urës së Babrrusë. Atë ia kanë paraqitur para një vit e gjysme bashkisë së Tiranës, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Ministrisë së Transportit, por nga ana e tyre nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
E teksa grupi i xhirimit të Top Channel po kthehej në redaksi, vunë re se gropat ishin mbuluar me rërë, e mbuluar ndoshta për të mos dalë në kamera, por reshjet s’kanë përfunduar ende dhe kjo gropë do rihapet.
Top Channel