Shtëpi me qokat e dasmës, vetingu gjen me probleme gjyqtarin e Kushtetueses

07/05/2018 11:02

Ishte radha e gjyqtarit Kushtetues Fatmir Hoxha për të dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por ai kishte zgjedhur të mungonte dhe të përfaqësohej vetëm nga avokati.

Komisioneret e vettingut përmendën se edhe Hoxha i është nënshtruar të treja filtrave të vettingut, dhe se Inspektoriati i Pasurive deklaron se gjyqtari Kushtetues nuk ka fshehur pasuritë dhe nuk ka kryer deklarim të rremë të tyre.

Por KPK theksoi komisionerja Xhensila Pine ka kryer hetim të thelluar ku edhe ka zbuluar se gjyqtari kushtetues nuk justifikon të ardhurat për rreth 1.7 milionë lekë, të përdorura për blerjen e një banese prej 112 metra katrorë në Tiranë.

KPK evidentoi se gjyqtari kushtetues kishte përfituar edhe një kredi lehtësuese prej 5 milionë lekësh, ndërsa rezulton që gjatë blerjes së apartamentit kishte marrë në dy raste borxhe nga miqtë.

Avokati i tij Julian Mërtiri shpjegoi se gjyqtari kushtetues i justifikon të gjitha të ardhurat pasi në një rast gjatë ceremonisë së martesës, të afermit i kanë dhuruar 270 mijë leke. Pas argumentit se për dasmën ka edhe një kasetë filmike që nuk është marrë nga KPK , avokati justifikoi si të ardhura të pallogaritura edhe paratë e fituara nga shitja e orendive të shtëpisë në qytetin e Shkodrës.
Sipas këtij shpjegimi, rezulton se gjyqtari kushtetues Fatmir Hoxha, me një karrierë 25-vjeçare në gjyqësor është në telashe financiare pasi ka një borxh të pashlyer prej 34 mijë euro dhe një kredi prej 5 milionë lekë që e mbyll pas 17 viteve.

“Shuma është plotësisht e justifikueshme. Hoxha që nga 2011 është emëruar aëntar i Gjykatës Kushtetuese dhe është transferuar nga qyteti i Shkodrës, banesë që e ka shitur me orenditë dhe shuma i përkt orendive dhe shtëpisë. Borxhi është ende një borxh që po shlyhet dhe një kredi nga shteti që po e shlyhen sipas kushteve të kontratës përkatëse. kredia është marrë sipas një VKM të 2007 si një nga funksionarët e lartë”, bëri të ditur Mërtiri.

Në lidhje me pastërtinë e figurës Komisioni i Pavarur i kualifikimit deklaroi se gjyqtari kushtetues ka lidhje të përshtatshme, ndërsa për aftësitë profesionale shtoi se ai ka zvarritur proceset gjyqësore dhe nuk ka zbardhur brenda afateve vendimet gjyqësore.

Vendimi për Hoxhen shpallet në 10 maj, ndërsa më herët janë shkarkuar nga detyra gjyqtarët Altina Xhoxhaj dhe Fatos Lulo. Aktualisht kanë mbetur pa kaluar në sitën e vettingut edhe Bashkim Dedja dhe Gani Dizdari.

Top Channel