Rafinha kërkon të qëndrojë te Interi. Mesfushori Brazilian, i ardhur me huazim nga Barcelona në muajin janar, është në limitin e kontratës me zikaltrit, që mund ta bëjnë pjesë të tyre, vetëm duke derdhur në arkat e Barcelonës shumën e 38 milionë eurove, të paracaktuar në kontratë.
Në një intervistë për Inter TV, pas fitores me Udinezen, ku ylli brazilian ishte padyshim futbollisti më i mirë në fushë, ai shprehu hapur dëshirën e tij që të jetë pjesë e skuadrës edhe në të ardhmen. “E ardhmja nuk varet prej meje. Por një gjë është e qartë, unë dua të rri dhe në mendjen time është vetëm Inter. Ndihem shumë mirë në një skuadër që më ka ndihmuar shumë dhe për më shumë me këta tifozë të jashtëzakonshëm që të dhurojnë një dashuri kaq të madhe. Unë si Iniesta? Andres është ndër më të mëdhnjtë, nuk mund të krahasohet askush me të”, tha Rafinha.
Rafinha që u bë pjesë e Interit në merkaon e janarit është pjesë e marrëveshjes me Barcelonën dhe klubi zikaltër ka të drejtën e blerjes së tij, për shifrën e 38 milionë eurove. Inter mund të shfrytëzojë edhe një pjesë tjetër të klauzolës për ta patur në skuadër me huazim edhe për një tjetër sezon.
Top Channel