Në kremtimin e autoportretit në epokën e medies sociale, Tommy Honton dhe Tair Mamedov çelën në Los Angeles këto ditë dyert e muzeut të “selfie”-ve, një ekspozitë interaktive që eksploron historinë dhe fenomenin kulturor të shkrepjes së një poze të vetes.

Në muzeun e veçantë, “selfie”-t janë të detyrueshme. Krijuesit e tij kanë bërë gjithçka që është e mundur për të krijuar sfonde të llojeve të ndryshme për fotografitë “selfie”. Në mesin e tyre gjenden kati i i sipërm të ndërtesës më të lartë në botë, Burj Khalifa në Dubai, si dhe Froni i Hekurt nga seriali popullor “Game of Thrones”.

Nuk ka rëndësi që këto sfonde nuk janë reale, e rëndësishme për personin që pozon aty është të marrë sa më shumë klikime dhe pëlqime në rrjetet sociale. Ekspozita nis me pasqyra, një prej elementëve ndoshta më bazike të “selfie”-ve.

Por, Honton dhe Mamedov e shohin konceptin si diçka më shumë sesa thjesht një foto.

“Mund të tingëllojë befasuese, por ‘selfie’-t kanë një histori jashtëzakonisht të pasur dhe datojnë shumë pas në kohë. Rembrandti bëri me dhjetëra autoportrete, Van Goghu po ashtu. Albrecht Dürer realizoi pesë të tilla. Pra, është sërish një mënyrë përjetësimi e vetvetes”, tha Honton.

Njerëzit, – vazhdon ai, – kanë qenë gjithmonë të fiksuar me imazhin e vetvetes. E vetmja gjë që ka ndryshuar në kohërat moderne është teknologjia. Muzeu është gjithashtu i mbushur me të dhëna argëtuese mbi trendin e “selfie”-ve. Aty tregohet sesi femrat e nxjerrin veten në fotografi më shumë sesa meshkujt, e në Moskë ky hendek është ekstrem, pasi peshorja anon nga ana e grave me 82%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA