E hëna tashmë është dita e takimit të artistëve dhe shoqërisë civile, që kundërshtojnë prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Edhe këtë të hënë, komuniteti i artistëve u mblodh për të dhënë mesazhe kundër ndërtimit të një godine të re në truallin e teatrit ekzistues.

Robert Ndrenika dha mesazhin më të fortë këtë të hënë, duke bërë thirrje për mbrojtje të tokës së Teatrit Kombëtar.

“Ky është Jeruzalemi ynë, të cilin duan ta mbysin kryqëzatat. Nuk është gjynah të vijnë 3-4 biznesmenë dhe të thonë është e jona? Dhe ta marrin pa para e ta shesin 10 mijë euro metrin katror? Kjo mendoj unë nuk ka logjikë. Prandaj ne duhet të mbrojmë tokën e këtij teatri, sepse është e jona, e komunitetit”, tha aktori Robert Ndrenika.

Takimi i radhës u zhvillua brenda në teatër, ku ishin të pranishëm edhe deputetë dhe këshilltarë të Bashkisë së Tiranës, nga PD dhe LSI. Aktivistët e shoqërisë civile kërkuan mbështetjen nga të gjithë politikanët.

“Deputetët, këshilltarët e bashkisë, të majtë apo të djathtë qofshin, duhet të jenë aty, të mbrojnë hapësirën publike, të mbrojnë teatrin, trashëgiminë e tyre, historinë e tyre pavarësisht se nga cili kah politik vijnë”, tha aktivisti Martin Gjonaj.

Nga ana tjetër, aktori i Teatrit Kombëtar, Neritan Liçaj bëri thirrje për fillimin e ndjekjes së rrugëve ligjore sa më shpejt, në mbrojtje të hapësirës së institucionit.

“Kush ka të drejtë? Në qoftë se qeveria ka të drejtë, gjë që unë personalisht nuk e besoj, ka të drejtë dhe tërhiqemi ne. Në qoftë se nuk ka të drejtë, qeveria duhet të kërkojë të falur dhe të tërhiqet e të mos abuzojë me institucione kaq të rëndësishme të historisë së Shqipërisë.

Në takimin e së hënës ishin ftuar edhe deputetë dhe këshilltarë bashkiakë të PS-së, të cilët nuk ishin të pranishëm në sallën e Teatrit Kombëtar.

Top Channel