Gjyq për ilaçet me rimbursim, farmacistët: Një ilaç me dy çmime të ndryshme

07/05/2018 20:09

Lista e re e barnave të rimbursueshme si dhe kontratat e reja të farmacive që tregtojnë barna me rimburism pritet të përballë në gjykatë Urdhrin e Farmacistit dhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.

“Hyrja në farmaci e kësaj liste në mënyrë të paparalajmëruar ka shkaktuar tek faramcitë humbje të konsiderueshme financiare për shkak të gjendjes së barnave të blera me çmimin e e listës së mëparshme. Farmacistët gjenden sot para një situate kaotike, e cila do të sjellë përballje me qytetarët për shkak të çmimeve të ndryshme për të njëjtin bar. Farmacistët gjenden para faktit të mungesave të shumta të barnave qofshin këto alternativa të para apo të vetme”, tha Diana Toma, presidente e UFSH.

Lidhur me kontratat e vitit 2018, sipas farmacistëve, ajo është e njëanshme dhe nuk është konsultuar më parë me asnjë farmacist. Sipas urdhrit të farmacistit disa kritere të kontratës së re janë diskriminuese.

“Vendosja e kritereve diskriminon një pjesë të subjekteve, lë vend për abuzime dhe i shërben ruajtjes së monopoleve të krijuara nga pronarë farmacisë të lidhura drejtëpërdrejt me drejtues të FSDKSh”, u shpreh Toma.

Urdhri i Farmacistit kërkon zgjidhje të menjëhershme të situatës kaotike të krijuar për shkak të futjes së listës së barnave të rimbursueshme në një mënyrë të pazakontë dhe detyrimit për të nënshkruar një kontratë që shkel ligjin.

Top Channel