Apolonia, rruga është dëmtuar. Bashkia do riparojë vetëm një të tretën

07/05/2018 19:51

Rruga që lidh qytetin antik të Apolonisë me rrugën nacionale Fier-Seman, është dëmtuar rëndë prej një viti.

Janë katër kilometra rrugë, të cilat u dëmtuan rëndë edhe nga punimet për rrugën e re Fier-Levan. Aty kalonin mjetet e rënda që shërbenin për ndërtimin e “baypass”-it që është lënë në mes.

Për pasojë, edhe rruga që të çon në Apoloni, por edhe në fshatrat pranë tij është dëmtuar.

Bashkia e Fierit do ndërhyjë në një segment 900 metra të gjatë, ndërsa pjesa tjetër ngelet siç është.

“Është një nga projektet që bashkia ka parashikuar të realizojë me investimet e veta. Rruga është me një gjatësi 930 metra, por nuk është një zgjidhje përfundimtare”, shprehet Flamur Mato, drejtor i ndërmarrjes së shërbimeve publike Fier.

Veç problemeve që shkakton për banorët e zonës, kjo rrugë ka një rëndësi të veçantë, pasi është e vetmja që të çon në parkun arkeologjik të Apolonisë, një prej pikave turistike më të rëndësishme jo vetëm për Fierin, por për të gjithë vendin.

Top Channel