Cleveland Cavaliers dhe Boston Celtics vetëm një fitore larg kualifikimit në finale të Konferencës së Lindjes në NBA, duke e çuar në 3-0 serinë e gjysmëfinaleve respektivisht ndaj Toronto Raptors dhe Philadelphia 76ers.
Në “Quicken Loans Arena” të Clevelandit Cavs fituan 105 – 103 ndaj Raptors, ku skenën e rrëmbeu i zakonshmi LeBron James, me 38 pikë, 7 asiste dhe 6 rikuperime. Finalistët e sezonit të kaluar imponuan ritmin që në periodën e parë, duke marrë kryesimin që në start, për të shkuar deri plus 17 pikë në fillim të periodës së tretë, por kanadezët reaguan me dinjitet në periodën e fundit, duke arritur madje të barazonin 103-103 falë trepikëshit të Anunoby 8 sekonda para rënies së sirenës për përfundimin e kohës ë rregullt. Por kur fatin e ndeshjes e merr në dorë “Mbreti” James, askush nuk mund ta ndalë. Lebron nisi aksionin e fundit nga gjysmëfusha e tij, futet në zonë dhe lëshon një trajektore të lartë që, pasi përplaset në tabelë, përfundon në kosh. Të gjithë shkojnë të përqafojnë “jashtëtokësorin” e Cavs, ndërsa publiku vendas shpërthen në ovacione pas një tjetër perlë të idhullit James. Kualifikimi në finale të Lindjes duket formalitet, sepse në historinë e NBA asnjë skuadër nuk ka arritur të përmbysje disavantazhin 3-0 të serisë në gjysmëfinale.
Po kaq emocionuese edhe sfida e “Wells Fargo Center” të Philadelphias mes 76ers dhe Celtics, që u mbyll me fitoren 98-101 të Bostonit pas kohës shtesë. Një ndeshje krejtësisht e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që shkëmbyen kryesimin të paktën 10 herë gjatë ndeshjes. Koha e rregullt përfundoi 89-89, ndërsa në shtesë basketbollistët e rinj të 76ers nuk e patën pjekurinë e duhur, duke humbur disa topa të thjeshtë, që u dhanë mundësinë lojtarëve të Bostonit të fitonin në fund me tri pikë diferencë. E kotë në fund edhe përpjekja e Belinellit, që nga mesfusha, për të barazuar rezultatin, me Celtics që mund të mbyllin llogaritë në takimin e radhës, që do të zhvillohet sërish në parketin e Philadelphias.
Tatum dhe Rozier ishin më të mirët për Celtics respektivisht me 24 dhe 19 pikë, ndërsa për 76ers nuk mjaftoi Embiid, që përveçse shënoi 22 pikë, kontrolloi plot 19 topa poshtë koshit.
Top Channel