Emocione, këngë, valle nga arbëreshët e Italisë dhe treva të tjera shqiptare u përcollën në 613-vjetorin e lindjes së heroit tonë kombëtar.

Fundjava solli në Durrës “Festën për Gjergj Kastrioti Skënderbeun”, zhvillimi i së cilës u cenua pjesërisht nga reshjet e shiut dhe mungesa e infrastrukturës në Kepin e Rodonit, atje ku ishte parashikuar të realizohej pjesa më e madhe e festës. Festimet janë çelur në sallën e këshillit bashkiak të Durrësit për të vijuar të dielën në Kep të Rodonit.

Shumica e tyre vinin për herë të parë në Shqipëri, në tokën mëmë, por kjo nuk i ka penguar të flasin shqip dhe të ruajnë brez pas brezi traditat shqiptare.

“Vijmë nga AcquaFormosa, provincë e Kozencës. Jemi një grup i fortë, nuk na bën gjë shiu. Kaluam shumë bukur. Shkuam në Tiranë. Pamë statujën e Skënderbeut. Kënduam, bëmë një xhiro dhe erdhëm këtu”, shprehet njw arbwresh.

“Është e para herë në Shqipëri. Është gjithnjë bukur të çojmë përpara traditat e kombit nga vijmë”. – thotë një tjetër.

“Jemi shumë të lumtur dhe që takojmë arqipeshkin tonë në tokën mëmë, Engjëll Masafra. Organizimi është shumë i mirë. Jam këtu për herë të katërt dhe çdo herë më duket si hera e parë. Emocionet janë të njëjta.”- thotë një tjetër arbëresh.

Emocionet janë të forta për ata që prekin për herë të parë tokën shqiptare.

Në traditën arbëreshe, veshja e nuses dhe dhëndrrit është po aq e rëndësishme sa dhe dasma. Ndaj ata kanë sjellë në këtë festë një veshje nuseje mbi 100-vjeçare, të trashëguar nga te paret.

“Një përshtypje kaq e bukur. Emocionuese. Bukur. Një veshje nuseje arbreshe, më shumë se 100-vjeçare. Ishte i nënës së stërgjyshit tim.”- tregon plot krenari kjo arbëreshe teksa pret që të shtrohet rruga dhe të shkojnë pranë podiumit të ngritur në natyrë, ku do të këndojnë e kërcejnë.

Të ardhur nga 8 komuna arbëreshe të Italisë, delegacioni arbëresh vendosi në Kept ë Rodonit, aty ku deti, kodra dhe horizonti bëhen njësh, një pllakë në të cilën shkruhet: “Për kujtim të Gjergj Kastriot Skënderbeut, në 550 vjetët e vdekjes”. Nëpërmjet figurës së tij si trim i madh e burrë i nderuar që ruajti mirë atdheun dhe besimin tonë, i thërritur “Atlet i Krishtit”. Mbajmi të gjallë e me kryelartë gjuhën tonë dhe rrënjët tona”.

Top Channel