Xhafaj i përgjigjet Tahirit: Sot Shqipëria ka dalë nga harta e kultivimit të kanabisit

05/05/2018 14:14

Ndonëse nuk ka pranuar të replikojë drejtëpërdrejtë me paraardhësin e tij, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa nuk ka nguruar t’i kundërpërgjigjet Saimir Tahirit me krahasimet se si është sot Shqipëria në sajë të punës së policisë.

“Sot Shqipëria është një vend që ka dalë nga harta e vendeve që kultivojnë kanabis sativa. Sot vendi ynë është një vend ku organizatat kriminale nuk janë të qeta në biznesin e tyre kriminal dhe sot në Shqipëri një autor i një krimi, identifikohet dhe arrestohet”, tha Xhafaj.

Gjithashtu ministri Xhafaj ka deklaruar se sot Policia e Shtetit garanton rendin dhe sigurinë publike sipas ligjit, dhe jo si sherifat e perëndimit të largët.

“Policia e Sshtetit ofron siguri dhe garanci për qytetarët duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe jo me metodat e sherifave të perëndimit të largët të shekullit të kaluar”, tha ai.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, vlerësoi aktin e dorëzimit të mandatit të deputetit nga Saimir Tahiri si një standart të ri në politikën shqiptare.

“E gjithë kjo zhurmë e madhe në gjithë këto gjashtë muaj se gjoja imuniteti i Z. Tahiri po pengonte hetimin e plotë të kësaj çështje. Sot Z.Tahiri nuk është më as me imunitet dhe as me mandat dhe sigurisht drejtësia do të bëjë punën e saj. Ndërkohë që të gjithë gojëprishurit e opozitës, nga maçoku Sali tek dhelpra Monikë, por edhe tek gënjeshtari Lulzim duhet të heshtin e të lënë të flasë drejtësia deri në çuarjen në fund të kësaj çështje”, tha Balla.

Këto deklarata u bënë gjatë ceremonive me rastin e 5 majit, Ditës së Dëshmorëve të vendit, ku u përkujtuan edhe të rënët në radhët e policisë së shtetit.

Top Channel