Bashkimi Europian dërgoi në Kosovë delegacionin faktmbledhës për vizat, një lëvizje kjo që vjen pas ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës.
Detyra e këtij delegacioni është të mbledhë të dhënat e më pas t’i analizojë ato për të parë sesa është plotësuar kriteri i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar – i fundit në procesin e liberalizimit të vizave.
Grupi kryesohet nga Simon Mordue, zëvendësdrejtor gjeneral në Drejtorinë e Përgjithshme për emigracionin, Punë të Brendshme dhe Shtetësi.
Për Kryeministrin Ramush Haradinaj, qeveria i ka përmbushur të gjitha kriteret e mbetura të kërkuara nga Komisioni Evropian. Në të njëjtën linjë shprehet edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, e cila thotë se në takimin e zhvilluar me përfaqësuesit e bllokut ka paraqitur arritjet sa i takon sundimit te ligjet dhe disa kërkesave të tjera.
Bindja e zyrtarëve kosovare është se vlerësimi që do të dalë nga delegacioni teknik, ka për të qenë pozitiv. Ai pritet të bëhet publik në muajin qershor. Shkalla e lartë e korrupsionit dhe e krimit të organizuar në Kosovë është theksuar në raportin e Progresit të Komisionit Evropian, si dhe në shumë raporte hulumtuese të organizatave që monitorojnë sistemin e drejtësisë.
Top Channel