Veliaj: Trotuaret janë për të ecur, kemi hapur tregje me standarde

04/05/2018 13:06

Ashtu si një shtëpi, edhe një qytet ka rregulla dhe trotuaret janë për të ecur, tregjet e hapura janë me standarde, kanë qenë fjalët e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Nën moton “Ju mund”, dhjetëra nxënës të shkollave të ndryshme të kryeqytetit u bënë pjesë e konkursit për idenë më të mirë në ndërgjegjësimin e të rinjve për diferencimin e mbetjeve dhe riciklimin e tyre.

“Ka disa të rritur që çfarëdo që të bësh thonë: ‘Hip se të vrava, zbrit se të vrava’. Ama, të gjithë e dimë se siç kemi rregulla në shtëpitë tona, ka rregulla edhe në qytet. Pra, trotuaret janë për të ecur, tregjet janë për të shitur; plehrat janë për t’u hedhur në kosh, semafori është për të respektuar qarkullimin, hapësira publike është për t’u shijuar nga të gjithë dhe korsia e biçikletave është vetëm për dyrrotakët”, tha Veliaj, duke shtuar se nëse një qytet i madh funksionon si një familje e mirë, atëherë të gjithë banorët do të mund të kenë një jetë dinjitoze.

Edicioni i dytë “Ju mund” u shtri në të gjitha shkollat e qytetit, për t’i lejuar nxënësve të grupmoshave të ndryshme të shprehnin idetë e tyre për mbajtjen pastër të ambientit dhe kategorizimit të mbeturinave.

Top Channel