Të dhënat personale të prindërve, Vokshi: Do përdoren për shantazhe për votën

04/05/2018 12:17

Partia Demokratike denoncon se të dhënat e prindërve që po merren nga ministria e Arsimit “me shumë gjasa do të përdoren në regjistrat e votuesve për shantazhe për votën”.

Kryetarja e Komisionit parlamentar të Edukimit, Albana Vokshi në një dalje për mediat tha se “sipas porosisë nga kabineti i kryeministrit mësuesve u është kërkuar nga Ministria e Arsimit që të marrin sa më shpejt të dhënat përsonale të prindërve duke plotësuar formularët e gatshëm të shpërndarë nga kryeministria me të dhënat për kartat të identitetit, numrat e telefonave, e-maileve dhe të dhëna të tjera personale”.

“Partia Demokratike verifikoi se në emailin e Ministrisë së Arsimit kërkohet që Brenda datës 10 Maj formulari të jetë i plotësuar sipas udhëzimeve dhe pa gabime, duke i konsideruar si shumë i rëndësishëm për Ministrinë e Arsimit. Urdhëri i Edi Ramës dhe Lindita Nikollës shkel haptazi Kushtetutën, Ligjin për Arsimin parauniversitar dhe ligjin për Mbrojtjen e të dhënave Personale, që ndalon rreptësisht përdorimin apo përpunimin e tyre pa ditur qëllimin dhe pa dhënë pëlqimin. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla duhet të japë në mënyrë urgjente sqarime pse ka kërkuar të dhëna që me ligj konsiderohen private, duke shkelur hapur Kushtetutën dhe Ligjin!”, tha Vokshi.

PD i bën thirrje prindërve të refuzojnë të japin të dhënat të tyre personale ndërkohë që i kërkon komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personal të ndërhyjë.

“PD i kërkon Prokurorisë të hetojë e të vërë para drejtësisë çdokënd që po shkel ligjin duke mbledhur të dhëna personale qe me shumë gjasa do të përdoren në regjistrat e votuesve për shantazhe për votën”, përfundon Vokshi.

Top Channel