S’ka Nobel në Letërsi sivjet. Shtyrja, për shkak të skandaleve seksuale

04/05/2018 10:36

E pllakosur nga një skandal abuzimesh seksuale, Akademia suedeze njoftoi se Nobeli i sivjetshëm i Letërsisë nuk do të jepet, gjë që e bën këtë të parën herë në 75 vite që juria e fshehtë, përgjegjëse për dhënien e çmimit më prestigjioz të botës në këtë fushë, do ta anashkalojë ceremoninë në vjeshtë.

Fituesi i vitit 2018 do të shpallet më vonë, së bashku me atë të vitit 2019. Gjithçka lindi nga afera e ngacmimeve, në të cilën është përfshirë edhe vet Princesha suedeze e kurorës, Viktoria, e ekspozuar së fundi si një prej viktimave të fotografit franko-suedez, Jean-Claude Arnault, bashkëshort i poetes Katarina Frostenson, pjesëtare e Akademisë.

Tre persona kanë rrëfyer deri tani se, e kanë parë me sytë e tyre Arnaultin teksa ngacmonte Princeshën gjatë një shfaqjeje në vitin 2006. Një prej asistenteve madje ka ndërhyrë për ta ndihmuar atë, duke u hedhur mbi fotografin e duke e larguar me forcë.

Ky është skandali më i madh që prek Nobelin që prej dorëzimit të çmimit të parë prestigjioz në vitin 1901. Akademia shpjegoi se, vendimi u mor për shkak të asaj që e përshkroi si “mungesë të besimit publik”.

Dalja në këtë përfundim nuk ishte e lehtë. Disa prej anëtarëve të saj këmbëngulnin që çmimi të ndiqte traditën; të tjerë argumentonin se në këtë moment, institucioni nuk është të gjendje të bëjë prezantimin e tij.

Përveç 6 viteve gjatë luftrave botërore, Nobeli nuk është dorëzuar vetëm një herë, në vitin 1935, për arsyen se nuk u arrit të gjendej asnjë fitues i denjë për të. Arnault, i cili drejtonte një projekt kulturor të financuar nga Akademia suedeze, akuzohet nga 18 gra për ngacmime seksuale, madje disa nga incidentet kanë ndodhur në prona që i përkasin organizatës.

Vet e shoqja e tij, Frostenson dha dorëheqjen, së bashku me kryetaren e Akademisë, Profesoren Sara Danius.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA