“Përforcimi i stabilitetit rajonal dhe shumëllojshmërisë së bashkëpunimit ndërkufitar midis vendeve jugore të Ballkanit mund të arrihen vetëm me intensifikimin e dialogut dhe me përballjen e përbashkët të sfidave të kohës”.

Ky ka qenë mesazhi i hapjes së punimeve të Ministerialit të Selanikut, i treti prej vitit 2016 që mbahet në qytetin verior të Greqisë me nismën e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias.

“I uroj mirëseardhjen – ka thënë midis të tjerash shefi i diplomacisë greke në fjalën e hapjes, – mikut tim Bushati, me të cilin kemi hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve tona dypalëshe për të zgjidhur mes nesh çështje, të cilat kanë mbetur prej dekadash të tëra pa një zgjidhje”.

Përveç ministrave të Jashtëm, në samit marrin pjesë edhe ministrat e Brendshëm dhe ata të Transporteve të 4 vendeve pjesëmarrëse: Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë.

Interesi i medieve vendase është tepër i madh, sidomos për sa u përket takimeve dypalëshe që do të ketë gjatë samitit, në epiqendër të të cilave do të jetë ai mes holomogëve Kotzias-Dimitrov, por edhe Kotzias-Bushati.

Nga ana e tij, edhe ministri i Brendshëm grek, Nikos Toska ka theksuar se, është kënaqësi që kemi vendosur një bashkëpunim të mirë në të gjitha fushat në planin policor, atë të brigadave të mbrojtjes kundër zjarrit, apo të ndihmës në rast fatkeqësish.

Takimet dypalëshe do të zhvillohen gjatë orëve të drekës.

Top Channel