Pas raundit të parë të ekspertëve, Bushati takohet më Kotziasin në Selanik

04/05/2018 16:54

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ndodhet në Selanik për takimin e Tretë Ndërministror mes Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, i cili u mbajt më 3 dhe 4 maj.

Këtë ministerial, kryediplomati shqiptar e shfrytëzoi edhe për një takim me homologun grek, Nikos Kotzias, takim që mbërrin pak ditë pas raundit të parë të bisedimeve në nivel ekspertësh mes dy vendeve, i zhvilluar në Tiranë.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga Ministria e Jashtme në takim u shqyrtua ecuria e bisedimeve dypalëshe për një sërë çështjesh të shtruara në tryezë, edhe për kufirin detar.

Në takim, thuhet se Ministri Bushati vlerësoi progresin e arritur në takimin e ekipeve negociatore javën e shkuar ndërsa u shpreh optimist për takimin e radhës që do të zhvillohet në Athinë.

Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se disa çështje për të cilat palët kanë dakordësi finale janë në zbatim tashmë dhe po punohet për pjesën tjetër të paketës siç është njohja e patentave apo çështjet e kufirit detar dhe tokësor.

Ministri Bushati bëri me dije se do të ketë një tjetër takim me homologun Kotzias për të diskutuar ecurinë e punës, por edhe pse Greqia është një vend i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë dhe ka një rol të veçantë në rajon.

Top Channel