Pagat e larta fshihen. Ekspertët: Pasojë e taksës progresive

04/05/2018 20:02

Ky është viti i katërt që qytetarët shqiptarë i janë nënshtruar tatimit progresiv mbi pagat, i vendosur nga qeveria “Rama”.

Nga një taksë e sheshtë prej 10% për të gjitha kategoritë, po zbatohet një nivel taksimi me disa shkallë. Pagat deri në 30 mijë lekë dhe gjithë pagat e tjera deri në këtë shumë nuk tatohen. 13% është taksa për diferencën nga 30 mijë deri në 130 mijë lekë. Mbi këtë shifër, pagat tatohen me 23%.

Por, me gjithë këtë ndryshim, diferenca mes atyre që marrin një pagë të lartë dhe pjesës tjetër është mjaft e madhe. Sipas Instat, në vitin 2017 vetëm 4% e shqiptarëve në skemën e sigurimeve shoqërore paguhen me mbi 120 mijë lekë në muaj, ndërkohë që në krahun tjetër, 30% e kontribuesve janë në nivelin e pagës minimale prej 24 mijë lekësh në muaj.

Duke komentuar shifrat e Instat-it, eksperti i ekonomisë Selami Xhepa thotë se taksa progesive mbi të ardhurat personale nuk ka ndihmuar më të varfërit: “Efekti i taksës progresive nuk ka qenë i rëndësishëm sa i takon ndihmës që duhet t’i jepte familjeve me të ardhura të ulta dhe ka penalizuar ndjeshëm dhe fort qytetarët me të ardhuara të mesme”.

Sipas Xhepës, e gjithë struktura e pagave duhet riparë, pasi pjesa më e madhe e atyre që po deklarojnë paga të larta janë zyrtarët e lartë, ndërsa profesionet e tjera kanë gjetur mënyra të ndryshme për të mos u tatuar në këto nivele.

“Duket se i atribuohet një numri të kufizuar individësh, të cilët janë ata që kryesisht punojnë në administratën e lartë publike në nivele të larta, ndërkohë që pjesa tjetër e të punësuarve që mund të jenë prapë me të ardhura të larta, por që kanë gjetur mundësi që t’i shmnagin këto të ardhura për t’i raportuar në forma të tjera, duket që nuk po jep efektet e veta pozitive”, shpjegon Xhepa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA