Lagjja 13 e Durrësit, zonë “turistike” pa rrugë e kanalizime

04/05/2018 20:14

Banorët e Lagjes Nr. 13 në Durrës, edhe pse paguajnë taksat rregullisht, ndihen prej vitesh të harruar nga pushteti vendor.

Në zonën ku ata jetojnë nuk ka rrjet kanalizimesh për ujërat e zeza dhe të bardha, si dhe as rrugë. Banorët ankohen gjithashtu për ujin e pijshëm, i cili vjen i ndotur dhe rrallëherë. Në mungesë të tij, ata janë detyruar të shpenzojnë parà për të hapur puse.

“Ne jetojmë si në Mesjetë, s’kemi as ujë tamam, as kanalizime të ujërave të zeza, si dhe as rrugë. Vijnë na kërkojnë votën, por nuk bëjnë asgjë”, shprehet një nga banorët.

Një tjetër shpjegon se ujërat e zeza grumbullohen në një kanal, i cili dikur ka qenë për kullimin e tokave.

“Kanali që shihni këtu dikur ka qenë kanal kullues. Sot në të shkarkohen ujërat e zeza. Kemi kërkuar zgjidhje, por s’kemi asnjë përgjigje. Kemi 20 vite që jetojmë këtu, shtëpitë tona janë të legalizuara dhe të hipotekuara”, u shpreh i indinjuar një qytetar.

“Fiks Fare” iu drejtua Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës.

Kryeinxhinieri i UKD-së, Gerald Dautaj informoi banorët se, së shpejti do të zbatohet një projekt që do t’i japë zgjidhje përfundimtare problemeve që lidhen me ujin e pijshëm. Lidhur me ujërat e zeza, ai premtoi inspektim nga ana e specialisteve të UKD-së, e më pas zgjidhje për situatën.

“Uji i pijshëm do të marrë zgjidhje shumë shpejt. UKD-ja do të fillojë zbatimin e një projekti serioz, që do t’i japë zgjidhje njëherë e mirë situatës me ujin e pijshëm. Për sa i përket situatës me ujërat e zeza, që nesër do të sjell specialistët që të shohin situatën dhe pastaj do bëjmë një ndërhyrje”, tha Dautaj.

Lidhur me problematikën e rrugës “Apulia”, “Fiks Fare” iu drejtua Bashkisë së Durrësit. Kjo e fundit, nëpërmjet një përgjigjeje zyrtare premtoi se pas rishikimit të buxhetit përgjatë muajve shtator-tetor do të ndërhyhet për t’u përfshirë brenda tij edhe rikonstruksioni i rrugës “Apulia”.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA