Ikën Saimir Tahiri, por a do të rikthehet Spartak Braho deputet? Aktualisht këshilltari i kryeministrit Edi Rama për marrëdhëniet me Parlamentin e ka këtë mundësi.

Juristi Spartak Braho iu bashkua Partisë Socialiste të Fatos Nanos, duke kryesuar për vite me radhë Komisionin Parlamentar të Ligjeve, kur socialistët u rikthyen në pushte pas 1997-ës.

Në atë kohë ai dallohej për mënyrën luftarake se si përballej me akuzat e opozitës. Me largimin e Ilir Metës nga Partia Socialiste dhe krijimin e lëvizjes socialiste për Integrim, Braho kaloi në krah të tij, duke mos e braktisur as kur ikën disa nga zyrtarët kryesorë të saj u larguan në 2009-ën, pas vendimit të Metës për të hyrë në qeveri me Sali Berishën.

Braho do të identifikohej si një nga avokatët publikë më të fortë të Ilir Metës pas publikimit të videos së ish-ministrit Dritan Prifti dhe gjyqit të Ilir Metës për korrupsion. Baba Taku, siç e thërriste kreu i LSI-së u bë i famshëm me çantën e tij të zezë si në dyert e gjykatës edhe në studiot televizive.

Çanta e Zezë rikthehej sa herë Ilir Meta ishte në ditë të vështira si ato kur në mandatin qeverisës me Edi Ramën, Tom Doshi e akuzoi se kishte kërkuar ekzekutimin e tij.

Gjatë asaj legjislature Spartak Braho ishte kryetar i Komisioni të të Sigurisë Kombëtare, por deputet i LSI-së, zgjedhur nga lista e Partisë Socialiste. Me divorcin e LSI-PS në 2017 Baba Taku vendosi të rrinte në lista e Partisë Socialiste, duke mos u zgjedhur dot deputet, por duke u bërë këshilltar i kryeministrit Rama, tashmë pa çantën e tij të zezë.

Top Channel