Pak minuta pasi Saimir Tahiri kishte njoftuar dorëzimin e mandatit të deputetit, demokratët në sallën e Parlamentit e quajtën veprimin e ish-ministrit të Brendshëm thjeshtë një show.

“Nuk ka si të ndodhë që ju të luftoni drogën, kur ai vjen dhe kërcënon Kryeministrin dhe i thotë që “nuk ka bir kurve dhe bir nëne të më detyrojë mua…”. E vërteta është që janë që të dy të lidhur. Del sot në komedinë e radhës, farsën e radhës, Saimir Tahiri me emër të Edi Ramës dhe thotë që do të lë mandatin. A nuk erdhi këtu në Kuvend? Çfarë ka ndryshuar? Apo shkoi zotëria në Berlin dhe ja futën të dyja këmbët në një këpucë”, deklaroi Edmond Spaho.

Demokratët dolën nga salla, ndërsa Kryeministri u çua të replikonte. Të vetmet fjalë për ish-super ministrin e tij, Edi Rama i kishte duke ironizuar opozitën.

“Një njeri që nuk gdhihej e ngrysej nën qiellin pa çati të SHQUP-it, por gdhihej e ngrysej në kancelarinë gjermane tha se pa u futur në burg Saimir Tahiri, na paska thënë Gjermania, këtu s’ka të ardhme për Shqipërinë. Gjermanisht dëgjova ato që kemi dëgjuar këtu shqip katër vjet”, reagoi Rama.

Lulzim Basha nuk ndodhej në Shqipëri, por nga Facebook-u foli për vazhdim të lojës Rama-Tahiri. Në mungesë të kryedemokratit, Sali Berisha bëri të qartë se nuk mjaftonte largimi i ish-ministrit nga Parlamenti.

“Bota nuk po kërkonte kokën e Saimir Tahirit. Po kërkon nga të katër anët dorëheqjen e Edi Ramës”, u shpreh jashtë sallës së Kuvendit, ish-Kryeministri Sali Berisha.

Ndryshe nga sa më parë, LSI nuk ishte koordinuar me demokratët dhe qëndroi më gjatë në seancë, ndërsa përsa i përket Tahirit, Monika Kryemadhi ishte në sintoni me Berishën.

“Saimir Tahiri është një nga ushtarët e vegjël të perandorisë së drogës së Edi Ramës dhe kërkon vetëm sa të mundet që t’i japë oksigjen Edi Ramës dhe grupeve të tyre kriminale. Por, kjo është thjesht një teatër shumë fëminor”, deklaroi Kryemadhi.

Por a mendon Kryemadhi se Prokuria do të kërkojë arrestimin e ish-ministrit tani që nuk ka më mandat?

“Ju po thoni që avokati i Tahirit të arrestojë Tahirin?”, u përgjigj kryetarja e LSI-së.

Socialistët u munduan të minimizonin duke folur për vendim personal të ish-ministrit të tyre.

“Ky është një vendim tërësisht personal i Saimir Tahirit, që e respektojmë tërësisht. Politikanët gojështhurur si Luli, Saliu dhe Monika, sot kanë më pak argumenta”, deklaroi Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar socialist.

Kush nuk komentoi ishte Fatmir Xhafaj, që nuk replikoi me paraardhësin e tij, por as nuk u tërhoq nga qëndrimet e veta.
“Nuk kam koment sot dhe nuk u heq asgjë atyre që kam thënë deri më sot”, deklaronte ministri i Brendshëm.

Top Channel