Rama: Opozita eksporton baltë. PD e LSI: Dorëheqja e Tahirit, show

03/05/2018 15:27

Pak minuta pasi Saimir Tahiri kishte njoftuar dorëzimin e mandatit të deputetit, demokratët në sallën e Parlamentit e quajtën veprimin e ish-ministrit të Brendshëm thjeshtë një show.

“Nuk ka si të ndodhë që ju të luftoni drogën kur ai vjen dhe kërcënon kryeministrin. E vërteta është se jaën të dy të lidhur, del sot në farsën e radhës, Saimir Tahiri në emër të Edi Ramës dhe thotë do të lë mandatin. A nuk erdhi këtu në Kuvend? Çfarë ka ndryshuar, apo shkoi zotëria në Berlin dhe ia vunë këmbët në një këpucë”, tha Edmond Spaho.

Demokratët dolën nga salla, ndërsa Kryeministri u cua të replikonte. Të vetmet fjalë për ish-super ministrin e tij, Edi Rama i kishte duke ironizuar opozitën.

“Një njeri që nuk gdhihej e ngrysej nën qiellin pa çati të SHQUP-it, po në kancelarinë gjermane, se pa u futur në burg Saimir Tahiri, na paska thënë Gjermania, këtu s’ka të ardhme për Shqipërinë. Gjermanisht unë dëgjova ato që kemi dëgjuar këtu shqip, 4 vjet”, tha Rama.

Lulzim Basha nuk ndodhej në Shqipëri por Sali Berisha bëri të qartë se nuk mjaftonte largimi i Tahirit nga Parlamenti.

“Ndonëse i damkosur, ai nuk kuptoni se bota nuk po kërkonte “kokën” e Saimir Tahirit, po në të katër anët dorëheqjen e Edi Ramës. Ai është pengesa absolute e shqiptarëve drejt Bashkimit Europian.”, tha Berisha.

Ndryshe nga sa më parë, LSI nuk ishte koordinuar me demokratët dhe qëndroi më gjatë në seancë. Ndërsa përsa i përket Tahirit, Monika Kryemadhi ishte në sintoni me Berishën.

“Ai është një nga ushtarët e vegjël të perandorisë së drogës të Edi Ramës dhe kërkon sa të mundet t’u japë Edi Ramës dhe grupeve kriminale oksigjen. Është teatër fëminor që nuk mund tu hedhë hi syve shqiptarëve.”, tha Kryemadhi.

Socialistët u munduan të minimizonin duke folur për vendim personal të ish-ministrit të tyre.
“Vendim tërësisht personal i Saimir Tahirit që e respektojmë tërësisht dhe dua të ripërsëris atë që kemi thënë këtu e 6 muaj më parë, që kjo është një çështje tërësisht mes Saimir Tahirit dhe drejtësisë. ”, tha Balla.

Kush nuk komentoi ishte Fatmir Xhafaj, që nuk replikoi me paraardhësin e tij por as nuk u tërhoq nga qëndrimet e veta.
“Nuk kam asnjë koment, por nuk i heq asnjë fjalë atyre që kam thënë”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA