Peshëngritësit nuk dorëzohen, i kërkojnë ndihmë Presidentit Meta

03/05/2018 15:30

Edhe pas zbardhjes së vendimit nga Komiteti Olimpik Shqiptar, për përjashtimin e Federatës së Peshëngritjes nga Lojërat Mesdhetare dhe në çdo aktivitet që organizon KOKSH në këto dy vite të ardhshme, duket se sportistët nuk janë dorëzuar.

Kjo federatë edhe pse me organe të reja drejtuese pas zgjedhjeve të fundit, duket të jetë e pafuqishme për të negociuar me Komitetit Olimpik. Për këtë arsye tre herë kampioni i Europës në fuqi, Briken Calja ka vendosur të provojë të kërkojë të drejtën e tij dhe të kolegëve në presidencë, aty ku presidenti Ilir Meta e ka pritur ditën e enjte për të dëgjuar dhe për të gjetur një zgjidhje të problemit.

“Diskutuam për çështjet aktuale, që është një vendim i padrejtë i komitetit olimpik. Presidenti na dha shpresë se do t’i çojë një shkresë komitetit olimpik që vendimin ta bëjë me paralajmërim. Shpresoj që do të gjendet gjuha e përbashkët që të vazhdojmë të lirë”, u shpreh për Top Channel peshëngritësi Briken Calja.

KOKSH ka zgjedhur të bëjë shembull me këtë vendim tre nga peshëngritësit më të mirë të viteve të fundit që ka ky sport si Briken Calja, Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli, për të pastruar sportin nga përdoruesit e dopingut, ndërkohë që janë pikërisht këta tre sportistë dhe brezi i fundit, sipas specialistëve, që arrijnë këto nivele sportive.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA