“Open Data” dhe “Tirana ime”, shembuj suksesi në konferencën europiane

03/05/2018 19:43

Tirana ka qenë mikpritëse, këtë të enjte, e Konferencës së Autoriteteve europiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, hera e parë që një gjë e tillë zhvillohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Vitin e ardhshëm, komisionerë nga të gjitha vendet e botës do të mblidhen gjithashtu në kryeqytetin shqiptar.

Punimet e Konferencës u përshëndetën edhe nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi ndër të tjera se, Tirana është një shembull jashtëzakonisht frymëzues për qasjen në informacion dhe transparencën me të dhënat, duke inkurajuar për më shumë investime në këtë drejtim.

“Shembulli i Tiranës është një shembull jashtëzakonisht frymëzues. Inkurajimi im për ju është të investoni më shumë në autoritetet lokale. E kuptoj se në të gjithë Europën, vëmendja më e madhe është në qeverinë qendrore, megjithatë, të gjithë e pranojmë se 90% e jetës publike ndodh në qytet, në bashki. Shumica e qytetarëve tanë, shtetin e takojnë te çerdhja, kopshti, shkolla e fëmijëve, rrugët e qytetit, pastrimi, gjelbërimi, ndaj ju inkurajoj të fokusoheni më shumë tek autoritetet vendore”, tha Veliaj.

Ai prezantoi si shembull suksesi platformën “Open Data”, ku qytetarët mund të marrin informacion të plotë për mënyrën sesi shpenzohen paratë në Tiranë. Përmes kësaj platforme, kryeqyteti ka tashmë një bazë të dhënash për punët publike dhe shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës në funksion të rritjes së transparencës ndaj qytetarëve, por edhe menaxhimit më të mirë të kohës dhe parave të taksapaguesve.

“Sot jemi në gjendje të bëjmë dieta më të mira për fëmijët në kopshte e çerdhe, në varësi të statistikave që kemi nga pjesëmarrja, sa hahet ushqimi, sa ushqim ngelet në pjatë, e gjëra të tjera që ndoshta duken kuoriozitete të parëndësishme, por që na kanë fuqizuar për të marrë vendime të drejta”, tha më tej Veliaj.

Një tjetër shembull suksesi i Bashkisë së Tiranës është edhe aplikacioni “Tirana ime”. Në një kohë kur kryeqyteti po ndryshon me ritme të shpejta dhe dinamike, nëpërmjet këtij aplikacioni çdo qytetar mund të raportojë në kohë reale problematikat ose shqetësimet, papastërtitë ose shkeljet që hasin, dhe stafi i Bashkisë së Tiranës do të shqyrtojë çështjen pas marrjes së raportimit.

“Një nga gjërat që vumë në këtë aplikacion është që secili prej tyre mund të raportojë problematika të qytetit, secili prej tyre mund të fotografojë në kohë reale me GPS një grumbull plehrash që nuk është mbledhur, një pemë që mund ta ketë rrëzuar era, një pusetë që dikush mund ta ketë vandalizuar ose thyer, një monument që dikush mund ta ketë bërë me graffiti”, shtoi Veliaj.

Ndërkohë, Besnik Dervishi tha se Zyra e Komisionerit ka nisur procesin e modernizimit të legjislacionit kombëtar sipas standardeve europiane. Kjo qasje është e domosdoshme për t’iu përgjigjur si zhvillimit ekonomiko-social, ashtu edhe procesit të integrimit të vendit.

Top Channel