Në Holandë është krijuar i pari embrion tërësisht artificial, pra jo i gjeneruar nga vezë dhe spermatozoide, por nga qeliza burimore. Është një embrion miu dhe ka vijuar të zhvillohet në mitër, por sidoqoftë, nuk ia ka dalë të arrijë në fazë të maturuar.
Lajmi është publikuar në revistën Nature dhe studimi lejon studimin e fazave të para të zhvillimit të një qenieje të gjallë dhe në të ardhmen mund të çojë edhe në qeniet e para njerëzore artificiale. Embrioni artificial është krijuar në institutin e mjekësisë rigjeneruese të universitetit të Maastrichtit, nga një grup i udhëhequr nga Nicolas Rivron.
Pika e nisjes ishin dy familje qelizash staminale, ato që i japin origjinë placentës dhe ato prej të cilave krijohet organizmi. Në një epruvetë, qelizat kanë krijuar një strukturë të ngjashme me atë të një embrioni në fazën fillestare të zhvillimit, të quajtur blastocist, në të cilën krijohet rrjeta që përmbledh qelizat burimore.
Embrioni artificial, që ka arritur një strukturë analoge, është quajtur blastoid dhe është një sferë e përbërë nga shtresa të holla. Nuk mund të përjashtohet mundësia që në një të ardhme të largët, të jetë kjo mënyra për t’i dhënë jetë qenieve të gjalla artificiale por për momentin është vetëm një laborator i paprecedent për të studiuar fazat fillestare të zhvillimit të embrionit, ato në të cilat krijohet placenta dhe ndodh implantimi në mitër dhe që në shumë raste, shoqërohen me dështimin e shumë shtatzënive.
Top Channel