Ai që njihet tashmë si rasti i ri “NarcoJet”, një ton kokainë e sekuestruar në Spanjë, që ishte nisur nga Kolumbia, zbuloi sipas radios “Caracol” një klient të ri të trafikantëve kolumbianë.

Nga 5 të arrestuarit, personi i ndaluar në Combita ishte vendas e me një histori narkotrafiku mbi shpatulla; dy të prangosurit në Spanjë ishin shqiptarë, pjesëtarë të një rrjeti kriminal që sipas raporteve të shërbimeve sekrete ishte krijuar me ish-ushtarë që kanë marrë pjesë në luftrat ballkanike.

Radioja pretendon se ka në duar raportin e INTERPOL-it, ku jepen detaje mbi rrezikshmërinë e lartë të këtij grupi që e dërgonte drogën në Europë. “Shumë nga anëtarët e tij ishin pjesëmarrës të luftrave në Ballkan – theksohet aty, – e për këtë arsye veprojnë me një profesionalizëm ushtarak, e dallojnë për nga brutaliteti dhe efikasiteti i tyre”.

Raporti shpjegon më tej sesi arrinin ish-ushtarët ta fitonin besimin e komunitetit përmes kontrollit ekonomik e të kërcënonin sigurinë e anëtarëve të tij. “Këto grupe kriminale nga disa vende të Europës Lindore, – lexohet më tej, – karakterizohen nga mënyra e të vepruarit, mbështetur në besnikërinë e pjesëtarëve që arrijnë t’i menaxhojnë duke i kontrolluar familjet e tyre në Shqipëri, të cilave u bëjnë pagesa ‘cash’, e në të njëjtën kohë i kthejnë në pengje, ndërsa lidhjet e tyre zgjaten si tentakula në mbarë Europën”.

Nga sa shpjegon media në fjalë, kush hyn në këto grupe, mund ta realizojë një gjë të tillë në dy mënyra: e para, njerëzit që i përkasin qarqeve të besuara të organizatës arrijnë të depërtojnë përmes lidhjeve të gjakut, e tjetra, duke e provuar për vite të tëra sesa të vlefshëm janë për të.

Informacioni është tashmë në duart e autoriteteve të 5 vendeve, që të gjitha të interesuara për të frenuar trafikimin e drogës dhe për kapjen e ish-ushtarëve.

Top Channel