Pas më shumë se një muaji, Edi Paloka rimblodhi Komisionin Hetimor për Çështjen “Tahiri” dhe trafikun e lëndëve narkotike, duke u ankuar se institucionet shtetërore nuk i kishin sjellë informacionin e kërkuar prej opozitës.

“Një përpjekje për të bllokuar Komisionin. Të gjitha institucionet që marrin urdhër nga Edi Rama, nuk kanë sjellë ende asnjë material në Komisionin Hetimor”, deklaroi Paloka.

Ndërsa, deputetët e mazhorancës akuzuan kryetarin Paloka se prej një muaji mban peng shkresat përmes të cilave socialistët kërkojnë informacion, ndërsa ai shpjegoi përse refuzonte t’i firmoste ato.

“Shkresat tona kanë një muaj që rrijnë pranë zyrës tuaj dhe ju nuk i keni nisur për t’i proceduar”, deklaroi deputetja e PS, Klotilda Ferhati.

“Të gjitha kërkesat tuaja, përveç dy apo tre, kërkojnë të hetojmë për çështje që nuk kanë të bëjnë me objektin e hetimit dhe që janë të një periudhe të vjetër kohore”, u përgjigj Edi Paloka.

“Fokusi nuk janë 4 vjet, fokusi janë pa afat”, reagoi Ermonela Felaj nga PS.

Objekti mbi të cilin Kuvendi miratoi ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar nuk ka një referencë kohore, fakt të cilin socialistët e shfrytëzojnë për të hetuar trafikun e drogës, edhe gjatë qeverisjes së demokratëve, duke nisur nga viti 2005.

Në fund kryetari Paloka tha se do të rishikonte mundësitë ligjore për të firmosur kërkesat e socialistëve.

Top Channel