Gjenden të dëmtuar hekurat e dritares, tentativë arratisje në burgun e Fushë Krujës

02/05/2018 15:18

Policia e Burgut të Fushë Krujës ka parandaluar një tentativë arratisje në zonën e sigurisë së zakonshme.

Vetë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën të ditur se ngjarja ka ndodhur më 1 maj, rreth orës 11.52.

“Në datë 01 maj 2018, rreth orës 11:52, gjatë kontrollit të ushtruar nga grupi i sigurisë, në godinën B (siguria e zakonshme), në njërën prej dhomave të katit të parë është konstatuar dëmtim i hekurave të zgarës së dritares së kësaj dhome. Menjëherë janë marrë masa për sigurimin e të dënuarve që ndodheshin në këtë dhomë si dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Në vend kanë shkuar grupe inspektimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve si dhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, ndërsa është njoftuar edhe Komisariati i Policisë së Fushë Krujës. Nga të dhënat paraprake, rezulton se dhoma ishte e sigurisë së ulët dhe shpesh herë ishte përdorur për akomodimin e personave të paraburgosur. Pesë personat që ndodheshin aktualisht në këtë dhomë, ishin aty prej jo më shumë se 15 ditësh”, thuhet në njoftimin zyrtar të DPB

Ndërkohë hetimet vijojnë për të zbardhur ngjarjen dhe për të vënë para përgjegjësisë ligjore autorët.

Top Channel