Pas gongut të vështirë të 22 korrikut 2016, gjithçka u mendua se do të ishte më e lehtë, por pas afro dy viteve, drejtësia është bllokuar në gjykatat kryesore, ato të niveleve më të ulëta e ndjejnë presionin që po vjen, ndëkohë që askush nuk e parashikon dot me suguri se kur do të ngrihen organet e reja të drejtësisë.
Maks Haxhia, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, thotë: “Kam përshtypjen që nuk u mendua dhe nuk u mirorganizua ecuria dhe zbatimi në praktikë i reformës. Asnjëherë nuk e ndjejmë veten të përhershëm, por të përkohshëm dhe kjo e dëmton shumë realizimin e drejtësisë, në të gjitha aspektet”.
Ndërsa Oerd Bylykbashi, nënkryetar i grupit të Partisë Demokratike, deklaroi: “Ne jemi përpara një kolapsi të sistemit që po pamundëson bërjen e drejtësisë dhe nëse nuk gjendet zgjidhja, në fund fare qytetarët do të harrojnë historinë e vetting-ut, por do të kenë parasysh vetëm që gjyqet u shtyhen pa fund sepse nuk ka gjyqtarë e prokurorë”.
Në sistem futesh përmes Shkollës së Magjistraturës, por për shkak se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk janë ngritur, studentët që diplomohen në qershor nuk mund të nisin punë, ndërsa për vitin tjetër rrezikohet të mos kemi fare studentë. Top Channel siguroi kërkesën e 27 prillit për Kuvendin të kreut të Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, për ndryshimin e ligjit.
“Vlerësojmë se e vetmja zgjidhje është marrja e iniciativës legjislative që deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të ngarkohet Shkolla e Magjistraturës, jo më vonë se muaji tetor, për organizimin e konkursit për pranimin e 25 kandidatëve për magjistratë, ose më shumë, në rast se nevojitet për funksionimin e sistemit. Duhet një ndërhyrje ligjore që të lejojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm që të emërojë dhe caktojë në pozicione kandidatët magjistratë të diplomuar, deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, lexohet në letrën e Sadushit.
Mungesa e KLP-së dhe KLGJ-së ka shtyrë pa afat edhe atë që Oerd Bylykbashi e quan shpresa e madhe e 22 korrikut 2016, ngritjen e strukturës së posaçme kundër krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë: “Qëllimi për ta bllokuar Këshillin e Lartë të Prokurorisë, që të mbahet peng SPAK-u, është qartazi vetëmbrojtje e Edi Ramës nga goditja që po kërkohet gjithmonë e më shumë nga Bashkimi Europian: krimi i organizuar dhe korrupsioni”.
Sipas juristëve, në politikë dhe në sistemin e drejtësisë sot ka mbetur si e vetmja zgjidhje ecja shpejt, por pa humbur cilësi.
“Duke zbatuar të gjitha rregullat në bërjen e vetting-ut”, shprehet Bylykbashi.
“Reforma e nisur duhet bërë sa më shpejt, që njerëzit të flenë mendjen: kush do rrijë, të punojë; kush të ikë, të gjejë vend tjetër”, thekson Haxhia.
Top Channel u përpoq të kontaktonte edhe me deputetët juristë të Partisë Socialiste në Komisionin e Ligjeve, por prej tyre nuk pati reagim.
Top Channel