Alibeaj: Kapja e 2.5 ton kanabis, provë e lidhjes së qeverisë me trafikun e drogës

02/05/2018 16:56

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se “kapja e një tjetër sasie rekord lënde narkotike nga Shqipëria në brigjet e Italisë, është një provë e fortë e lidhjes së qeverisë me trafikun e drogës”.

“Gomonia me 2.5 ton kanabis sativa ka kaluar nën hundën e policisë shqiptare dhe para syve të radarëve, për t’u kapur vetëm nga autoritetet italiane, të cilët prej kohësh janë në gadishmëri të plotë dhe në gjendje alarmi nga droga shqiptare. Kjo është e disata herë që brenda pak kohësh mjetet lundruese të nisura nga Shqipëria nisen me tonelata drogë drejt Italisë dhe kapen nga Guardia di Finanza, duke sfiduar policinë dhe radarët shqiptarë. Dhe në fakt, nuk ka si ndodh ndryshe, kur vendi qeveriset nga një kryeministër, vëllai i të cilit është i përfshirë direkt në trafikun e kokainës. Kjo ndodh në vendin ku vëllai i ministrit të Brendshëm është i dënuar në Itali për trafik droge, por mbrohet nga qeveria dhe nuk ekstradohet për tu përballur me drejtësinë e vendit fqinj”, deklaroi Alibeaj.

“Gomonia me 2.5 ton drogë kalon pa u ndalur nga askush, pasi ish-ministri i Brendshëm dhe e gjithë kupola e Policisë së Shtetit u vu në shërbim të kushërinjve Habilaj dhe ndihmonte avionët me kanabis sativa të fluturonin të mbrojtur nga qeveria drejt Europës dhe sot janë të lirë ose të arratisur. Kjo ndodh sepse ish-ministri i kapur në trafik droge, mbrohet me forcën e kartonit nga Rlindja dhe nuk i dorëzohet drejtësisë”, shtoi deputeti demokrat.

Top Channel