Ambasada amerikane në Kabul i dënoi ashpër sulmet e një dite me parë, ku humbën jetën 31 persona, 10 prej të cilëve gazetarë.
Atje ku mediat janë në rrezik, të gjitha të drejtat e tjera të njeriut gjenden në një kërcënim të madh, ishte mesazhi i përcjellë në faqen e saj zyrtare, ku shprehej vendosmëria për të qëndruar në krah të qeverisë afgane në luftën e saj kundër terrorizmit dhe përpjekjeve të vazhdueshme për ta mbajtur vendin të sigurt përballë sulmeve të tilla burracake.
Presidenti i Radios Europa e Lirë, Tom Kent e cilësoi tronditës lajmin e vrasjes së reportereve, dy nga të cilët ishin punonjës të institucionit të drejtuar prej tij.
Përpos Sabawoon Kakar dhe Abadullah Hananzai, nga sulmi i dytë kamikaz në kryeqytetin afgan humbi jetën edhe 28 vjeçarja Maharram Durrani, e cila ishte duke u trajnuar në byronë e Radios Europa e Lirë në Afganistan, dhe do te niste punën në 15 maj.
Në një incident të veçantë, reporteri i shërbimit vendas të BBC-së, 29 vjeçari Ahmad Shah, u qëllua për vdekje nga persona të panjohur në provincën e Khostit.
Autoritetet afgane dhe dëshmitarët thanë se sulmi filloi gjate orëve të hershme të mëngjesit nga një kamikaz me motoçikletë që hodhi veten në erë në afërsi të një zyrë të drejtorisë kombëtare të sigurisë.
Kur punonjësit e shpëtimit dhe ekipet e medias u mblodhën në vendin e ngjarjes disa minuta më vonë, një sulmues i dytë i veshur si gazetar shpërtheu eksplozivet e ngjitur ne trupin e tij, duke shkaktuar shumicën e viktimave.
Top Channel