Sa pak për SPAK! Struktura antikorrupsion duhej të ishte ngritur që në 2017

01/05/2018 15:05

Shpresa më e madhe për të luftuar korrupsionin në nivele të larta është ngritja e prokurorisë speciale. Por, struktura e njohur me shkurtimin SPAK, nuk ka asnjë mundësi që të ngrihet së shpejti, pavarësisht se ka kaluar një vit e gjysmë nga miratimi i të vetmit ligj të pranuar me konsensus të paketës së reformës në drejtësi.

As Qeveria nuk ka një parashikim të afërt se kur do të ngrihet SPAK.

“Presim rezultatet e para, me qëllim që këta kandidatë të konsiderohen të vlefshëm dhe të kalojnë procesin e vettingut, institucionet e reja fillojnë menjëherë nga funksionimi i tyre. Unë mendoj se brenda vitit 2018 këto organe duhet të ngrihen”, u shpreh më 16 shkurt të këtij viti Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë.

Struktura e posaçme antikorrupsion duhet të kishte nisur nga puna më 31 gusht 2017, pra sipas parashikimeve ligjore brenda 300 ditëve nga miratimi i ligjit.

Që SPAK të niste nga puna pikërisht në ambientet ku sot gjendet Prokuroria e Gjykata e Krimeve të Rënda, fillimisht duhet të ishte formuar organi qeverisës i akuzës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ashtu sikurse për gjykatën Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që do të gjykojë korrupsionin duhet të ishte ngritur Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është organi i vetëm kompetent që emëron prokurorin e posaçëm të SPAK. Me përjashtim të Arta Markut, qe aktualisht mban postin e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, janë në garë 25 kandidatë për gjashtë nga 11 vendet e KLP.

Por, anëtarët e KLP janë ende nën vetting, ndërkohë që shkarkimi i Besa Nikëhasani e hoqi emrin e saj nga lista duke hapur diskutimet për riçeljen e garës.

Megjithëse krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë që vendos për prokurorët e SPAK duket larg, më optimisti në këtë situatë është ambasadori amerikan, që i pyetur nga Top Channel parashikon se edhe KLGJ edhe KLP do të jenë funksionale shumë shpejt.

Top Channel