Policia në Stamboll prangosi më shumë se një duzinë protestuesish që po përpiqeshin të marshonin drejt sheshit simbol të qytetit, atij taksim për kremtimin e 1 majit.
Nën argumentin e shqetësimeve të sigurisë, autoritetet turke kishin vendosur që në këtë shesh të mos organizoheshin evente, ndaj dhe rrugët që çonin drejt tij u bllokuan nga forca të rendit. Vetëm disa grupe të vogla përfaqësuesish të sindikatave të punës u lejuan të hynin sa për të vendosur kurorë me lule në një monument të gjendur atje.
Por nën thirrjet “taksimi nuk mund të mbetet jashtë festimeve të 1 majit“, rreth 25 persona tentuan të kalonin në shesh me forcë vetëm për t’u ndaluar prej kordonëve të policisë. Sindikatat e mëdha supozohej ta shënonin këtë ditë me tubime në zonat e përcaktuara nga qeveria në Stamboll dhe Ankara. Taksimi ka vlerë të lartë simbolike për lëvizjen punëtore të Turqisë. Në vitin 1977, 34 vetë u vranë atje gjatë kremtimeve të Ditës së 1 Majit, kur mbi turmën u hap zjarr nga një ndërtesë pranë saj.
Në Sri Lanka, qeveria i shtyu tubimet dhe procesionet që shënojnë këtë ditë me arsyetimin e kremtimeve të festivali një javor Vesak, i cili vazhdon deri në 2 maj. Vendimi sipas saj, u mor me kërkesë të murgjve budistë, të cilat kanë influencë të madhe në vendin ku një shumicë e qartë njerëzish i përket këtij besimi. Ndërsa njerëzit përgatiten për marshimet e 1 majit në mbarë Shtetet e Bashkuara, grupet e ekstremit të djathtë kanë organizuar kundërdemonstratat e tyre në Seattle, Washington, e Los Angeles të Kalifornisë.
Dita që kremton betejat e klasës punëtore për të drejtat e saj sjell tubime në qytete anembanë Amerikës, por edhe aktivizimin e ekstremistëve të djathtë, të cilët kanë një traditë të gjatë shënjestrimi të sindikatave dhe aktivistëve të punës në SHBA e përtej saj.
Rreth 5,000 vetë u mblodhën në këtë ditë pranë pallatit presidencial në Manila për të protestuar ndaj dështimit të presidentit Filipine Rodrigo Duterte në përmbushjen e një premtimi të madh të fushatës, dhënies fund të kontraktimit, praktikës së përhapur të punësimit afatshkurtër.
Top Channel