Bashkimi i sindikatave të pavarura të Kosovës e shënoi 1 majin me protestë. Kryetari i tij Avni Ajdini sqaroi se në këtë mënyrë, qeverisë po i dërgohet mesazhi që të zbatohet ligji i punës, të rritet paga minimale, të rritet siguria në punë dhe të respektohet Kontrata Kolektive.
Paga minimale, sipas Ajdinit duhet të bëhet 250 euro; nuk mund të ketë diferencë të tillë rroge, u shpreh ai, ku dikush paguhet 3 mijë euro e dikush 170.
“Ne sot jemi unik jemi së bashku të gjithë punëtorët pavarësisht që nuk ka numër të madh, por mesazhi jonë është të zbatohet ligji të rritet paga minimale, siguria në punë të respektohen kontratat kolektive dhe individuale që ka shkelje masive. Duhet të zbatohet ligji, boll ma. Nëse nuk i kërkojmë të drejtat tona ato nuk realizohen. T’i kërkojmë të drejtat tona me ligj. Nuk duam fjalë boshe, por të realizohen të drejtat tona”, tha Avni Ajdini, kryetar i BSPK.
Kreu i unionit të sindikatave të punës deklaroi me tej se kjo nuk do të jetë protesta e vetme e organizuar prej këtij grupimi. Nëse nuk realizohen të drejtat tona, do të këtë tubime edhe me masive e nuk do të presim me 1 majin, paralajmëroi ai. Vetëvendosja paraqit edhe ajo përmes një aksioni simbolik në sheshin “Skënderbej”, ato që i cilësoi kushte të vështira të punëtoreve në Kosovë.
“Mbrapa meje është një shpjegim i pabarazisë dhe dallime shumë të mëdha sot në Kosovë, ku paga më e madhe, pagë që merret nga kursimet tona, jo nga taksat tona, paga e drejtorit të trustit pensional të Kosovës që është në vlerë të 5 mijë e 135 eurove, dhe dy pagat më të vogla dhe minimale, paga të ekzistencës, në prag të ekzistencës së punëtorëve, që deri në moshën 35-vjeçare është pagë 135 euro, dhe mbi moshën 35-vjeçare është pagë në vlerë të 170 eurove”, tha Nazlie Bala, VV.
Numri i lartë i papunësisë, sipas Balës, i shtyn edhe ata që kanë një vend pune, të pranojnë kushte të vështira dhe rrogë jo të mirë.
Top Channel