Ende nuk kanë vendosur emrin e partisë së tyre të re, për të cilën raportohet se mund të quhet Partia Social-demokrate, por grupi i Deputetëve të Pavarur, dikur pjesë e Vetëvendosjes, paraqitën për mediat dhe publikun deklaratën e parimeve të saj.
Ish-kreu i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se kjo deklaratë është një përmbledhje e vlerave, bindjeve dhe barazisë së plotë mes të tjerave.
“Ne angazhohemi, për një sistem politik e ekonomik, i cili as nuk diskriminon e as nuk privilegjon dhe i cili garanton barazi të plotë gjinore, gjyqësor të pavarur administratë funksionale, shëndetësi efikase dhe shkollim cilësor, për secilin pjesëtar të shoqërisë pa dallim”, tha ai.
Ymeri tha se foca e re politike do të jetë e hapur për bashkëpunim.
“Ne jemi të gatshëm dhe të hapur për bashkëpunim. Mirëpo ne nuk mund ta kushtëzojmë bashkëpunimin me të tjerët, nëse ata nuk e donë një gjë të tillë. Sa na përket neve, në të gjitha ato pikat ku pajtohemi jo vetëm me grupin parlamentar të Vetëvendosjes, por dhe me subjektet tjera, do të kemi bashkëpunim për çështjet me të cilat pajtohemi”, deklaroi Ymeri.
Përfaqësuesit e grupit të deputetëve të pavarur thanë se qëllimi kryesor i forcës së re politike do të jetë nxjerrja e Kosovës nga bataku ku e kanë zhytyr për vite më radhë qeveritë e shkuara.
Top Channel