Niveli i të ardhurave të familjeve shqiptare ka shënuar rënie gjatë gjashtëmujorit të dytë të 2017, sipas një anketimi të Bankës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, niveli i shpenzimeve është rritur dhe mbulimi i tyre është vështirësuar. Rreth 28% e familjeve deklarojnë se kanë hua për të paguar.
Vetëm në 37% të rasteve të huamarrjes, familjet i janë drejtuar burimeve formale banka dhe institucione jobankare për të marrë kredi, ndërsa në 63% të rasteve borxhi është marrë në burime joformale, kryesisht para në dorë. Por për çfarë marrin borxh familjet shqiptaret? Sipas anketës, të Bankës Qendrore, tre janë qëllimet kryesore, në vend të parë është konsumi me 42 përqind, pastaj vijnë, blerja dhe riparimi i pronës me 26 përqind, ndërkohë vetëm 12 përqind merret si hua për të bërë biznes.
Shumica e familjeve huamarrëse kanë deklaruar se aftësia e tyre paguese nuk ka ndryshuar gjatë pjesës së dytë të 2017, ndërsa pjesa tjetër deklarojnë kryesisht përkeqësim.
Vrojtimi i gjendjes financiare dhe huamarrjes së familjeve kryhet çdo gjashtë muaj mbi një kampion rastësor prej rreth 1200 familjesh, 56% e të cilave jetojnë në zonat urbane dhe 44% në zonat rurale të vendit.
Top Channel