Pas protestave dhe takimeve të përjavshme në teatër, artistët e Teatrit Kombëtar kanë përshkallëzuar iniciativën e tyre.
Përmes një peticioni që do të depozitojnë të mërkurën në Ministrinë e Kulturës, ata kërkojnë shpalljen e kompleksit teatror monument kulture të kategorisë së dytë.
“Në bazë të ligjit për Trashëgiminë Kulturore ne po i dërgojmë një propozim Ministrisë së Kulturës për shpalljen e kompleksit që përfshin Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Eksperimental monument kulture i kategorisë së dytë. Ne nuk po mbledhim vetëm firma artistësh, sepse edhe qytetarët janë përfitues të së mirës publike që quhet teatër dhe më shumë ata se sa ne, kanë të drejtë të shprehen nëse duhet mbrojtur apo jo ky objekt. Propozimi është i hapur për firmat e të gjithë qytetarëve”, tha regjisori Kastriot Cipi.
Ky hap do të çojë në ngrirjen e statusit të Tetarit Kombëtar të paktën për 6 muaj, duke i dhënë më shumë kohë artistëve të shpëtojnë godinën nga shembja.
“Ministria është e detyruar në bazë të ligjit, ta marrë në shqyrtim dhe ta vendosë këtë kompleks në mbrojtje të përkohshme paraprake 6 mujore dhe brenda këtij afati 6 mujor duhet të shprehet me shkrim për vullnetin e saj, nëse e gjykon ose jo që ky objekt meriton të klasifikohet monument kulture i kategorisë së dytë dhe të marrë mbrojtjen që i takon në bazë të ligjit”, tha Çipi.
Artistët thonë se këtë kërkesë Ministria e Kulturës do ta ketë të vështirë ta refuzojë.
“Ministria duhet të përgjigjet se me ç’arsye ia refuzon këtë status Teatrit Kombëtar, kur ia ka dhënë Kombinatit të Tekstileve, Pallateve Shallvare, Oxhakut, kështu që unë besoj që Ministria e Kultures do ta vonojë deri në limite përgjigjen, por në fund do të jetë e detyruar ta pranojë”, tha ai.
Top Channel