Akuzat për abuzim seksual, Nr. 3 i Vatikanit para gjyqit

01/05/2018 08:43

Shefi i financave të Vatikanit, kardinali George Pell, do të dalë para gjyqit nën akuzat historike për agresion seksual. Kardinali Pell, është vetëdeklaruar i pafajshëm.

Ai në vazhdimësi ka mohuar të ketë kryer ndonjë agresion. Një gjykatës australian vendosi të martën se kishte prova të mjaftueshme që rasti të çohej para gjykatës për disa akuza, por jo për disa të tjera.

Kardinali Pell, 76 vjeç, është katoliku më i lartë në Australi dhe një nga zyrtarët më të fuqishëm në Vatikan. Kardinali Pell, që konsiderohet zyrtari i tretë më i lartë i Vatikanit, u pezullua nga detyra vitin e kaluar për t’u përballur me akuzat në vendin e tij.

Në qershor, policia në shtetin e Viktorias, e akuzoi klerikun e lartë me atë që ata e cilësuan një akuzë historike, që përfshin disa ankesa. Më shumë se 30 dëshmitarë folën gjatë seancave paraprake të gjykatës që zgjatën katër javë. Shumë prej seancave ishin të mbyllura për publikun, çka është një praktikë standarde në Viktoria për rastet e krimeve seksuale.

Ai tani do të dalë para një gjykatësi dhe një jurie prej 12 personash në gjykatën e shtetit të Viktorias. Gjykata do të mbajë një seancë administrative të mërkurën, por gjyqi nuk pritet të fillojë deri pas disa muajsh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA