Punonjësit e Policisë së Shtetit, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe ata të Gardës së Republikës kanë edhe pesë ditë kohë për të plotësuar formularët e procesit të vettingut, që ka nisur Ministria e Brendshme.

Për të thjeshtuar këtë proces, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj thotë se janë marrë tre hapa.

“Kemi lehtësuar procesin nga të dhënat e panevojshme dhe kryesisht ato që do të duhej të merreshin si dokumente mbështetës, janë ndërtuar që të merren me vetëdeklarim nga punonjësit e policisë. E kemi bërë të qartë për të gjithë strukturat e policisë për të gjithë ata që do t’i nënshtrohen procesit të Vettingut në Polici, në Gardën e Republikës dhe në SHÇBA që do të tolerohen edhe gabime që do të mund të vijnë edhe për shkak të mos plotësimit nga pikëpamja teknike e formularëve përkatës. Komisionet e vlerësimit mund t’iu japin kohë në proces për t’i plotësuar gradualisht dhe për ta lehtësuar procesin kemi trajnuar njerëz të posaçëm, oficerë policie në çdo komisariat dhe në çdo drejtori të cilët do të asistojnë kolegët e tyre për t’ua lehtësuar procesin e plotësimit të formularëve dhe të gjithë dokumentacionit të nevojshëm për pjesën e Vettingut”, deklaroi Xhafaj.

Nga Korça, ministri i Brendshëm foli edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai thotë se as e para dhe as e dyta nuk luftohen me fushata. Xhafaj nuk e lidh skepticizmin e disa vendeve anëtare për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me luftën kundër krimit.

“Besoj se skepticizmi i tyre nuk lidhet thjesht me prioritete. Është një çështje, një debat i madh brenda vendeve europiane, brenda forcave politike të vendeve të ndryshme, sepse përsa i përket çështjeve që lidhen me treguesit që do të duhet të plotësonte është shprehur Komisioni Europian”, deklaroi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA